Armë zjarri dhe 141 gramë kanabis në automjetin me rulot në Kakavijë, arrestohet 51-vjeçarja gjermane

Aktualitet | 1 orë më parë

Një 51-vjeçare me shtetësi gjermane është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, së bashku me rulotin, u gjetën një armë zjarri dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku 2”, pas kontrolleve të imtësishme të zhvilluara nga Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti i drejtuar nga shtetasja gjermane me inicialet A. S. u përzgjodh për kontroll të detajuar, fillimisht në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e policisë gjetën një pistoletë me mulli, së bashku me municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë. Në vijim të veprimeve të para hetimore, 51-vjeçarja u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme