Dinamo, trajneri Daja: Vllaznia? Duhet të vazhdojmë në rrugën tonë

Dinamo rikthehet në fushën e lojës me sfidën e javës së 6-të të “Abissnet Superiore”, në “Loro Boriçi e pret Vllaznia. Në prag të kësaj sfide, trajneri i bluve, Ilir Daja ka shpalosur objektivat për këtë sfidë.
Ndërprerja e kampionatit
“Ndërprerja e kampionatit ka dy anë të medaljes. Ishim në një moment të mirë, ku kishim arritur disa rezultate pozitive dhe skuadra po performonte mirë. Përtej kësaj, e kishim të nevojshme këtë ndërprerje për rikuperimin e energjive, pasi edhe gjatë periudhës së verës kemi pasur një ngarkesë të madhe për shkak të angazhimit në kualifikueset e Conference League.
Gjatë kësaj periudhe nuk e kemi pasur grupin e plotë, pasi Qefalija, Aliji dhe Berisha kanë qenë të angazhuar me ekipet kombëtare, ndërkohë që disa lojtarë të tjerë kanë pasur probleme me dëmtimet.”
Përballja me Vllazninë
“Kampionati rifillon dhe, pavarësisht se na pret një ndeshje e vështirë me Vllazninë, ne duhet të vazhdojmë në rrugën tonë. Them se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse nuk duhet ta gjykojmë Vllazninë nga renditja aktuale. Është një skuadër që nuk e meriton atë pozicion, pasi ka zhvilluar ndeshje të mira.
E them këtë sepse, gjatë analizave me stafin, kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e tyre, duke qenë se shkodranët janë përballur me kundërshtarët tanë një javë përpara nesh.”
Çfarë kërkohet nga skuadra
“Ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar dhe të japim 100% në fushën e lojës. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë, kemi zhvilluar gjithmonë ndeshje të bukura, ku nuk ka munguar spektakli. Megjithatë, duhet të tregohemi pragmatistë, sepse na pret një transfertë e vështirë.”
Mungesat në skuadër
“Kemi disa mungesa dhe më e rëndësishmja është ajo e kapitenit Bruno Dita, pasi dihet vlera e Brunos për skuadrën. Pavarësisht mungesave, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira me lojtarët që do të zbresin në fushë, duke qenë se këtë sezon kemi një grup më të zgjeruar.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




