Ambiente të reja në gjimnazin “Kolë Idromeno”, rritet numri i të regjistruarve, në total 370 nxënës

Arsim | 1 orë më parë

Viti i ri shkollor e gjen gjimnazin “Kolë Idromeno” në Shkodër me ambiente të reja dhe infrastrukturë të përmirësuar. Drejtori i shkollës, Gazmir Jahiqi, thotë se ndërhyrjet kanë sjellë më shumë kushte dhe komoditet për nxënësit, duke përmirësuar mjedisin ku zhvillohet procesi mësimor.

“Ka nisur me një risi, siç është rikonstruksioni total i shkollës, me kushte jashtëzakonisht të mira infrastrukturore. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të nxënësve këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Siç e keni parë, elementi i parë është siguria. Kemi një rrethim të shkollës, i cili më parë mungonte, dhe kemi pasur disa probleme me hyrjet dhe daljet nga shkolla. Sa i përket kushteve fizike, për ngrohjen dhe ftohjen, siç e keni vënë re edhe ju, jemi pajisur me kondicionerë. Pra, nuk kemi më probleme me ngrohjen me gaz apo dru. Besoj se gjithçka tjetër, nga ana infrastrukturore, është në kushtet më optimale të mundshme”, u shpreh Gazmir Jahiqi  Drejtor i gjimnazit “Kolë Idromeno”.

Risitë në infrastrukturë duket se kanë dhënë efekt të menjëhershëm edhe në regjistrimet e këtij viti. Sipas drejtorit, shkolla ka rreth 18 nxënës më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa në total numri i tyre arrin në 370. Institucioni vijon të ofrojë mësim si me kohë të plotë, ashtu edhe me kohë të pjesshme, duke iu përgjigjur kërkesave të nxënësve të grupmoshave të ndryshme.

“Deri tani janë të regjistruar 370 nxënës në total. nga të cilat 81 janë në gjimnazin me kohë të plotë dhe 290 janë tek gjimnazi me kohë të pjesshme”, tha ai.

Përmirësimi i kushteve në shkollë dhe rritja e regjistrimeve janë tregues pozitivë për gjimnazin “Kolë Idromeno”, i cili synon të ofrojë një mjedis më të përshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor dhe vijimin e arsimit nga sa më shumë të rinj.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme