Interi rikthen titullarët në Champions, Lautaro Martinez për të prishur “agjërimin” europian

Kapiteni pritet të luajë në sulm nga minuta e parë me Thuram. Në mesfushë do të jenë Barella dhe Zielinski, kurse në mbrojtje Bastoni dhe Akanji.
Interi kthen sytë nga Champions League, një muaj pas debutimit në fushën e Real Madrid të Jose Mourinho-s. Ëndrra është për të tentuar një tjetër tripletë si ajo e 2010-ës, e fituar pikërisht nën drejtimin e “Special One”. “Dhe ëndrrat mund të realizohen”, – tha pak ditë më parë presidenti Marotta.
Ndeshja e radhës është ajo me Bruges në “San Siro”, të martën në mbrëmje (21:00). Skuadra është rritur në krahasim me atë të “Bernabeu”, ndërsa ndeshja me Parmën tregoi se zëvendësuesit japin garanci. Në Champions trajneri Chivu do të ndryshojë sërish dhe do t’u besojë titullarëve, duke nisur nga kapiteni Lautaro Martinez. Ai dhe Thuram do të përbëjnë dyshen e sulmit zikaltër.
Objektivi i argjentinasit është të rigjejë golin në Europë, duke prishur “agjërimin” që zgjat prej 6 ndeshjesh. Golin e fundit në Champions Lautaro Martinez e ka shënuar më 5 nëntor 2025, në shtëpi kundër Kairat.
Në mesfushë do të aktivizohen Barella dhe Zielinski, me Sucic dhe Mkhitaryan që do të ulen sërish në stol. Çalhanoglu do të jetë në kabinën e regjisë. Kundër Parmës turku doli nga fusha në minutën e 62-të dhe u pa në stol të mbante akull te gjuri, por do të jetë në fushë.
Në mbrojtje pritet të luajnë Akanji dhe Bastoni, me Bisseck të konfirmuar në qendër, ose djathtas dhe zvicerani në mes. Dyshimi i vetëm është për krahun e djathtë, ku Diouf dhe Luis Henrique janë në garë për një fanellë. Dimarco do të jetë në të majtë dhe në portë Martinez.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




