Zelensky mbërrin në Bruksel për samitin e Këshillit Evropian

Europë | 2 orë më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e Këshillit Evropian dhe për të zhvilluar bisedime dypalëshe.

Në platformën X, Zelensky njoftoi se ka planifikuar një sërë takimesh gjatë dy ditëve të ardhshme. Të enjten ai do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin francez Emmanuel Macron, mbretin belg Philippe, si dhe me kryeministrat e Belgjikës, Danimarkës dhe Polonisë.

“Nesër janë planifikuar takime me presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, si dhe me kryeministrat e Hungarisë, Finlandës dhe Suedisë,” shkroi Zelensky.

Duke theksuar se të gjithë në Evropë dëshirojnë që lufta e vazhdueshme Rusi-Ukrainë të përfundojë, Zelensky theksoi nevojën për “sinjale të forta”, konkretisht “më shumë presion real ndaj Rusisë dhe më shumë mbështetje mbrojtëse për Ukrainën”.

“Është veçanërisht e rëndësishme tani të veprojmë së bashku për të mbrojtur jetët,” shtoi ai.

Mbërritja e Zelenskyt në Bruksel vjen pas vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën, ku ai zhvilloi bisedime me Mbretin Charles III dhe kryeministrin britanik.

Brukseli po pret liderët e BE-së në kuadër të samitit dy-ditor të Këshillit Evropian, i cili filloi më herët të enjten. Në axhendë, ndër çështje të tjera, është edhe vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme