Ministrja Kumbaro thirrje prindërve: Mos lejoni fëmijët të jenë viktima të kësaj tymnaje. Bashkëpunim për t’i mbrojtur

Aktualitet | 53 minuta më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve, nxënësve dhe studentëve për bashkëpunim, pas tensioneve të regjistruara gjatë protestave në disa qytete të vendit. Në një deklaratë, Kumbaro kërkon që fëmijët të mbrohen nga përplasjet dhe dhuna, ndërsa thekson se e drejta për të protestuar duhet të shprehet përmes dialogut dhe komunikimit. Ministrja shprehet se është e shqetësuar për përfshirjen e të miturve në situatat e tensionuara, duke nënvizuar se nuk duhet lejuar që ata të bëhen viktima të kaosit dhe akteve të shkatërrimit të pronës publike e private.

“Si ministre e Arsimit, por edhe si nënë, dua të ndaj me ju një thirrje për bashkëpunim. Ndërkohë që ‘duart e errëta’ hedhin tym të errët të shashkave të shkatërrimit, qoftë në pronat publike apo në bizneset private, nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të jenë viktima të kësaj tymnaje”, deklaron Kumbaro.

Ajo bën të ditur se në shumë shkolla procesi mësimor vijon normalisht, ndërsa një pjesë e prindërve kanë zgjedhur t’i mbajnë fëmijët në shtëpi për t’i mbrojtur nga përplasjet.

Kumbaro thekson se institucionet arsimore kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me prindërit dhe universitetet, duke rikujtuar bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite në kuadër të programeve edukative.

“E vetmja mënyrë që ne kemi, që energjinë pozitive, por edhe të drejtën legjitime të rinisë për të protestuar, ta kthejmë në rrugë dialogu”, shprehet ministrja.

Ajo thekson se nxënësit dhe studentët nuk duhen identifikuar me aktet e shkatërrimit dhe dëmtimit të bizneseve, të cilat, sipas saj, janë burim jetese për mijëra familje. Në deklaratën e saj, ministrja u drejtohet edhe mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve, duke kërkuar angazhimin e tyre për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe për të mos lejuar që ata të përdoren për qëllime që ajo i cilëson të errëta.

“Ju ftoj që në radhë të parë të kemi bashkëpunim për të mbrojtur fëmijët, për të garantuar sigurinë e tyre fizike, që të mos merren peng nga rrëmuja dhe kaosi. T’i dëgjojmë ata, t’u japim mundësinë të flasin jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit”, apelon Kumbaro. Ministrja nënvizon se shkolla duhet të ruajë misionin e saj si vatër e dijes dhe edukimit, ndërsa shpreh gatishmërinë për të vijuar komunikimin me prindërit, mësuesit dhe komunitetin për të përballuar situatën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme