Pas dëmtimeve në muze, biblioteka dhe objekte kulti, Gonxhja apel prindërve: Mos lejoni të miturit të bëhen pjesë e vandalizmit

Aktualitet | 46 minuta më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas dëmtimeve të shkaktuara në disa institucione kulturore dhe monumente të trashëgimisë gjatë protestave të ditëve të fundit, duke u bërë thirrje prindërve të flasin me fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë përfshirjen e tyre në akte vandalizmi.

Përmes një mesazhi , Gonxhja shprehu shqetësimin për praninë e të miturve dhe adoleshentëve mes personave që, sipas tij, kanë dëmtuar pasuri publike, muze, teatro, biblioteka dhe objekte kulti.

“Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj. Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka dhe objekte kulti. Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja”, shprehet ministri.

Gonxhja renditi një sërë dëmesh të raportuara në Tiranë dhe Durrës, duke theksuar se janë prekur institucione me rëndësi të veçantë për kulturën dhe historinë e vendit.

“Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar ‘Shtëpia me Gjethe’, hapësira të Teatrit të Kukullave, Muzeut Historik Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unik kulture i kategorisë së parë. Në Durrës janë shkatërruar vepra dhe instalacione të Bienales së Artit”, deklaroi ai.

Ministri nënvizoi se institucionet kulturore nuk i përkasin asnjë force politike, por janë pasuri të përbashkëta të qytetarëve shqiptarë.

“Një muze nuk është i një qeverie. Një teatër nuk është i një partie. Një monument kulture nuk është kundërshtari apo shënjestra e askujt. Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive”, tha Gonxhja.

Ai u bëri thirrje prindërve të ndërhyjnë për të parandaluar përfshirjen e të rinjve në akte të tilla, duke kujtuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet me shkatërrimin e pronës publike.

“Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer. Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër. Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh”, u shpreh ministri.

Në mbyllje të reagimit të tij, Gonxhja apeloi për qetësi dhe përgjegjshmëri, duke theksuar se pavarësisht dallimeve politike, mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët.

“Qëndrimet politike mund të na ndajnë, por përgjegjësia për të mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë. Anarkia dhe kaosi duhet t’i lënë vendin arsyes”, përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme