Sulmi te Komisariati nr.3, Demo: Është kaluar vija e kuqe, e papranueshme. Elementët e dhunshëm kanë gjetur ‘azil politik’ në një parti

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, kanë zhvilluar një takim me forcat e Policisë, pas gjashtë ditësh protestash të shoqëruara me akte dhune në vend.
Gjatë takimit, ministri Demo dënoi sulmin ndaj Komisariatit nr. 3, të ndodhur një ditë më parë, duke e cilësuar atë të papranueshëm dhe duke theksuar se ngjarja ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. Sipas ministrit, gjatë sulmit janë dëmtuar edhe punonjës të Policisë, të cilët kanë pësuar lëndime, përfshirë djegie.
Ministri deklaroi se përshkallëzimi i dhunës tregon, sipas tij, se protestat kanë dalë përtej karakterit fillestar dhe nuk mund të konsiderohen më protesta studentore.
“Natën e fundit ka ndodhur diçka që ka kaluar vijën e kuqe. Komisariati nr.3 është sulmuar, jo thjesht komisariati policisë por edhe punonjësit e policisë që kanë qenë aty janë dëmtuar deri me djegie. Kjo është jo vetëm e papranueshëm, por tregon se elementet e dhunës që janë përfshirë në këtë protestë kanë arritur në nivele që tregojnë se kjo nuk është më as protestë studentore dhe nuk mund të quhet më as protestë”, tha Demo.
Demo komentoi gjithashtu sulmet e raportuara ndaj subjekteve të caktuara politik, ndërsa tha se elementët e dhunshëm në protestë “kanë gjetur azil politik në nëj parti”
“Ajo që ka ndodhur po dje, kemi patur sulme ndaj subjekteve të caktuara politike. Kemi parë që elementët e dhunshëm të asaj proteste kanë gjetur azil politik në një parti. Kjo tregon më së miri edhe motivimin e dhunës që është brenda asaj protestë”, deklaroi ai.
Ditën e djeshme, protestuesit sulmuan godinën e Komisariatit Nr. 3, duke i vënë zjarrin një zyre në brendësi të tij. Si pasojë e këtij incidenti, disa efektivë policie që ndodheshin në shërbim për ruajtjen e objektit mbetën të lënduar dhe dërguan me urgjencë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




