Ipeshkvijtë shqiptarë takojnë Papa Leonin XIV, i kërkojnë të vizitojë Shqipërinë

Sociale | 2 orë më parë

Papa Leoni XIV ka pritur në një audiencë private ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Shqipërisë, të cilët ndodhen në Romë në kuadër të vizitës “Ad Limina Apostolorum”. Takimi u zhvillua këtë 30 tetor 2026 dhe zgjati më shumë se një orë.

Gjatë audiencës, përfaqësuesit e Kishës Katolike shqiptare e informuan Atin e Shenjtë mbi gjendjen e Kishës dhe të vendit, duke paraqitur realitetin, sfidat dhe shqetësimet me të cilat përballen. Vizita “Ad Limina Apostolorum” është një traditë periodike, që zhvillohet zakonisht një herë në pesë vjet, gjatë së cilës ipeshkvijtë e vendeve të ndryshme shkojnë në Vatikan për t’u takuar me Papën dhe për të vizituar varret e apostujve.

Në emër të ipeshkvijve dhe të gjithë Kishës Katolike në Shqipëri, përshëndetjen drejtuar Papës e mbajti Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Gjatë takimit, barinjtë e Kishës shqiptare i dhuruan Papës ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Popullit Shqiptar, të realizuar nga një artist shqiptar. Ata përsëritën gjithashtu ftesën për një vizitë të tij në Shqipëri.

Dhuratat për Atin e Shenjtë përfshinin edhe një libër kushtuar martirëve shqiptarë, ku përmblidhet historia e martirizimit dhe qëndresës së Kishës në vend, si dhe një pëlhurë zadrimore, simbol i traditës së kësaj treve dhe i punës, dashurisë e përkushtimit të nënave shqiptare.

Mesazhi i Imzot Gjergj Metës për Papën
Në përshëndetjen e tij, të mbajtur me rastin e vizitës “Ad Limina Apostolorum”, Imzot Gjergj Meta theksoi rëndësinë e takimit me pasardhësin e Shën Pjetrit dhe të forcimit të bashkimit me Selinë e Romës.

“Videre Petrum dhe vizita pranë varreve të Apostujve janë për ne një rast për të kremtuar fenë tonë, për t’u rrokur fort rreth Jush, Atë i Shenjtë, dhe për t’u përforcuar në fe”, u shpreh ai, duke shtuar se ipeshkvijtë do të kthehen në dioqezat e tyre për të forcuar në fe meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe besimtarët laikë.

Imzot Meta bëri të ditur se përfaqësuesit e Kishës shqiptare përfaqësojnë pesë dioqeza dhe një Administraturë Apostolike, ndërsa i përcolli Papës përshëndetjet e meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe besimtarëve të të gjitha dioqezave dhe famullive.

“Katolikët e Shqipërisë i kanë qëndruar gjithmonë besnikë Selisë Apostolike, pavarësisht vështirësive, përndjekjeve, varfërisë dhe izolimit”, theksoi ai, duke përcjellë gjithashtu përshëndetjet e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që nuk janë katolikë, si dhe të udhëheqësve fetarë të vendit.

Një pjesë të veçantë të fjalës së tij, presidenti i Konferencës Ipeshkvnore ia kushtoi mesazheve të Papës për paqen. Ai e falënderoi për qëndrimin e shprehur që në daljen e tij të parë në lozhën e Shën Pjetrit, kur uroi për një “paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse”.

“Me vendosmëri ungjillore, në shumë raste, Ju keni shpallur paqen që vjen nga Krishti, duke dënuar luftën”, u shpreh Imzot Meta.

Ai vlerësoi gjithashtu enciklikën “Magnifica humanitas”, duke thënë se ajo sjell një vizion antropologjik në një kohë kur, sipas tij, njerëzorja rrezikon të lihet mënjanë për shkak të inteligjencës artificiale dhe algoritmeve që mund të zëvendësojnë përgjegjësinë njerëzore.

“Në këtë Enciklikë kaq të bukur, Ju keni nxjerrë sërish në pah vendin qendror të njeriut, të çdo burri e të çdo gruaje, si dhe dinjitetin e tyre”, tha ai.

Në përshëndetjen e tij, Imzot Meta falënderoi Papën edhe për transparencën lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke siguruar se ipeshkvijtë dhe besimtarët shqiptarë janë lutur dhe do të vazhdojnë të luten për të.

Në përfundim, ai përsëriti ftesën që Papa Leoni XIV të vizitojë Shqipërinë, duke ia besuar shërbesën e tij dhe të ipeshkvijve mbrojtjes së Zojës së Këshillit të Mirë.
“Fort i Lumturi Atë, në përfundim të këtij takimi, përtërijmë ftesën tonë për ta vizituar Shqipërinë. Nëna e Këshillit të Mirë Ju pret me përqafimin e saj dhe është asaj që ia besojmë shërbesën Tuaj dhe tonën si barinj. Faleminderit! Na bekoni ne dhe Kishat tona! Ne Ju sigurojmë lutjet tona”, përfundoi Imzot Gjergj Meta.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme