Ndërpritet Bojkoti i Avokatëve në GJKKO/Dhoma e Avokatisë vendos zbatimin e vendimit të gjykatës Administrative
Bojkoti nisi më 8 shtator 2026, pas kundërshtimeve të avokatëve ndaj Rregullores së Brendshme të GJKKO-së, e cila hyri në fuqi më 1 shtator.
Një nga pikat më të kundërshtuara ishte ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
Sipas Dhomës së Avokatisë, kufizimet cenonin ushtrimin e profesionit dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
Më 23 shtator, Dhoma vendosi përshkallëzimin e bojkotit, duke e shtrirë atë edhe në seancat për masat e sigurimit personal, çka solli shtyrjen e një numri të konsiderueshëm procesesh gjyqësore.
Përplasja mori një zhvillim të ri më 28 tetor, kur Gjykata Administrative e Apelit pranoi kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion dhe vendosi pezullimin e efekteve të dy vendimeve të Dhomës së Avokatisë, të datave 8 dhe 23 shtator, deri në shqyrtimin e çështjes në themel.
Vendimi i gjykatës nuk përbën një zgjidhje përfundimtare të konfliktit, por pezullon përkohësisht zbatimin e vendimeve që urdhëronin bojkotin.
Vendimmarrja pritet të përcaktojë fundin e një përplasjeje institucionale që prej javësh ka ndikuar në zhvillimin e proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



