Mbyllja e “Tetorit Rozë”, ministrja Spahiu njofton përfshirjen e mbi 345 mijë grave në programin falas të depistimit

Shëndet | 2 orë më parë

Në përmbyllje të fushatës ndërgjegjësuese të “Tetorit Rozë”, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e shoqëruar nga Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana, dhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dorina Toçi, zhvilloi një takim me vajzat dhe gratë e Forcave të Armatosura. Fokusi i takimit ishte i orientuar drejt parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe kryerjes së kontrolleve periodike shëndetësore.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Spahiu nënvizoi se fokusi kryesor i politikave shëndetësore është që kontrolli parandalues të kthehet në një shërbim të vazhdueshëm e të mundshëm për çdo grua. Në këtë kuadër, programi kombëtar i depistimit të kancerit të gjirit ka pësuar një zgjerim të kornizës moshore, duke përfshirë tashmë fashën 45–65 vjeç, nga 50–60 vjeç që ishte më parë.

“Ne kemi zgjeruar grupmoshën e depistimit nga 50–60 në 45–65 vjeç, duke synuar të përfshijmë në këtë program më shumë se 345 mijë gra. Depistimi do të vijojë gjatë gjithë vitit, përmes strukturave spitalore dhe njësive të lëvizshme. Sepse diagnostikimi i hershëm mund të bëjë diferencën mes një sëmundjeje të zbuluar në kohë dhe një rreziku shumë më të madh për jetën”, deklaroi ministrja Spahiu.

Ajo shtoi se projektbuxheti i vitit 2027 do të vijojë të mbështesë investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe rritjen e aksesit në shërbime parandaluese.

Mbështetja ndërinstitucionale dhe të dhënat e ekzaminimeve për vitin 2026

Nga ana e saj, Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana, vlerësoi pjesëmarrjen aktive të personelit ushtarak femër në aktivitetet ndërgjegjësuese, duke nënvizuar se kujdesi për shëndetin duhet të jetë në vëmendje ditore.

Ndërkaq, Drejtoresha e ISHP-së, Dorina Toçi, theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit të gruas, duke rikujtuar se pranë qendrave shëndetësore ofrohet gjithashtu testimi për HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë periudhës janar–tetor 2026 janë kryer në shkallë vendi “13,948 ekzaminime mamografike, nga të cilat 5,275 vetëm gjatë muajit tetor”. Këto shifra dëshmojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të fushatave sensibilizuese, si dhe nevojën për të ruajtur të njëjtin intensitet të kontrolleve mjekësore gjatë gjithë muajve të vitit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme