Al-Khelaifi i hap luftë FIFA-s dhe planifikon revolucion e madh

Futboll Bota | 46 minuta më parë

Nasser Al-Khelaifi, president i Klubeve Evropiane të Futbollit (EFC, më parë ECA), njoftoi këtë të martë në Asamblenë e Përgjithshme të organizatës në Kopenhagen qëllimin e tij për të krijuar “sa më shpejt të jetë e mundur” një organ të ri global të klubeve, të quajtur “Klubet Botërore të Futbollit”.

Propozimi është interpretuar nga disa prej të pranishmëve si një lloj konfederate e gjashtë jozyrtare, e aftë të sfidojë pushtetin e FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino.

“EFC është bërë një rrjet dhe platformë globale për klubet që të lidhen me këdo. Ne krijojmë përfitime për klubet brenda dhe jashtë Evropës. Kjo është arsyeja pse tani është koha për të krijuar Klubet Botërore të Futbollit”, tha Al-Khelaifi para asamblesë.

President i PSG-së, argumentoi se roli i EFC-së shkon përtej përfaqësimit institucional. “Roli i EFC-së nuk është vetëm të përfaqësojë klubet përmes qeverisjes së mirë, ne do të punojmë më shumë për t’i dhënë çdo klubi mundësinë për të pasur sukses. Më shumë fitime, më shumë ide, më shumë inovacion”, deklaroi ai, përpara se të tregonte ndryshimin brez pas brezi si forcën lëvizëse pas këtij transformimi.

“Futbolli ndryshon çdo ditë. Të rinjtë e përjetojnë futbollin ndryshe nga shumë prej nesh. Ata lëvizin midis botës fizike dhe asaj dixhitale pa parë ndonjë ndryshim”, tha Al-Khelaifi.

Sipas agjencisë “Reuters”, projekti “Klubet Botërore të Futbollit” synon t’u japë klubeve një zë institucional global, duke krijuar në mënyrë efektive një organ të shtatë të madh në futbollin botëror së bashku me gjashtë konfederatat kontinentale, megjithëse përfaqëson klube dhe jo federata kombëtare. A.V.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme