Demo: Pezullohen dy efektivë policie, ligji do të veprojë ndaj çdo shkelësi

Aktualitet | 39 minuta më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas publikimit të disa pamjeve në media dhe rrjetet sociale, ku dyshohet për tejkalim kompetencash nga efektivë të Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se ka kërkuar menjëherë verifikimin e rasteve dhe marrjen e masave përkatëse.

Demo bëri me dije se dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra, duke falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për reagimin e menjëhershëm.

“Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit marrjen e masave, duke iu referuar verifikimeve të domosdoshme. Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të dy punonjësve në fjalë”, u shpreh ministri.

Në deklaratën e tij, Demo theksoi se gjatë tre ditëve të fundit Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë, ku sipas tij grupe të organizuara kanë nxitur akte dhune ndaj institucioneve, bizneseve, pronës private dhe forcave të rendit.

Sipas ministrit, përgjatë gjithë situatës është kërkuar që reagimi i Policisë të jetë proporcional dhe brenda kufijve të përcaktuar nga ligji, ndërsa paralelisht të hetohen dhe ndëshkohen të gjithë personat e përfshirë në akte të dhunshme.

“Ligji do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat që tejkalojnë kompetencat e tyre”, deklaroi ai.

Demo nënvizoi se profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari, duke paralajmëruar se çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit.

Ministri i Brendshëm pati edhe një apel për prindërit e të miturve që marrin pjesë në akte të dhunshme, duke u kërkuar atyre të mos lejojnë që fëmijët të përdoren apo të edukohen me bindjen se qëllimet arrihen përmes dhunës.

Ministri Demo siguroi qytetarët se institucionet do të vazhdojnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, duke theksuar se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe çdo shkelës do të përballet me ligjin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme