Dita e 7-të e protestës/ Protestues të maskuar sulmojnë Gjykatën e Apelit, disa të shoqëruar
Dita e shtatë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë është shoqëruar sërish me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Pas një nisjeje të qetë, me këngë dhe valle, situata u përshkallëzua pas hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve, duke bërë që policia të ndërhynte me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Protestuesit u zhvendosën nga Rruga e Durrësit në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa në zonë u përforcuan masat e sigurisë. Gjatë ndërhyrjes, efektivët u kanë bërë thirrje qytetarëve të largojnë gratë dhe fëmijët nga rruga, duke paralajmëruar përdorimin e mëtejshëm të ujit dhe gazit lotsjellës.
Ora 14:00/ Protestuesit sulmojnë Gjykatën e Apelit
Protestues të maskuar kanë sulmuar Gjykatën e Apelit, duke depërtuar në ambientet e brendshme të institucionit, duke shkaktuar dëme materiale. Protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të institucionit duke shkaktuar thyerje xhamash. I menjëhershëm ka qenë reagimi i efektivëve të Policisë të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave.

Ora 13:30 – Policia shpërndan protestuesit, thirrje për largimin e grave dhe fëmijëve
Pas hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë vijuar përdorimin e ujit për të larguar turmën, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të largojnë gratë dhe fëmijët nga rruga, për shkak të përdorimit të mjeteve për shpërndarjen e protestuesve.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë zhvendosur nga Rruga e Durrësit në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa situata është tensionuar në zonën përreth institucionit.
Përballë Ministrisë së Arsimit është vendosur një kordon i përforcuar policor. Në terren janë dislokuar automjete ujëhedhëse dhe furgonë policie, ndërsa gjashtë furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë në gatishmëri.
Ora 11:30 – Studentët dhe gjimnazistët nisin protestën me këngë e valle
Studentët dhe gjimnazistët u grumbulluan fillimisht në qendër të Tiranës dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku vijuan protestën e ditës së shtatë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, tubimi nisi në mënyrë të qetë, me këngë dhe valle, ndërsa të rinjtë u vendosën përpara institucionit për të vijuar qëndrimin e tyre protestues.
Në nisje të tubimit, situata paraqitej e qetë dhe nuk kishte shenja të përplasjeve që do të pasonin më vonë. Megjithatë, hedhja e gurëve në drejtim të efektivëve solli përshkallëzimin e situatës dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.
Prej gjashtë ditësh, studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë protestuar në kryeqytet. Tubimet e mëparshme janë shoqëruar me episode dhune, ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime të personave nga të dyja palët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




