Dita e 7-të e protestave/ Protestuesit, gurë drejt efektivëve. Policia përgjigjet me gaz lotsjellës: Gratë e fëmijët të largohen, do hedhim ujë e gaz

Aktualitet | 2 orë më parë

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë nisur pas grumbullimit të studentëve dhe gjimnazistëve para Ministrisë së Arsimit, në ditën e shtatë të protestës në Tiranë. Pas hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve, policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës duke shpërndarë protestuesit, të cilët më pas janë zhvendosur nga Rruga e Durrësit.

Teksa sposton protestuesit duke hedhur vazhdimisht ujë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të largojnë gratë dhe fëmijët nga rruga pasi do të hidhet ujë e gaz lotsjellës.

Situata është tensionuar pas nisjes së tubimit, i cili fillimisht u zhvillua në mënyrë të qetë, me këngë dhe valle. Të rinjtë ishin mbledhur fillimisht në qendër të kryeqytetit dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku vijuan protestën.

Pas përshkallëzimit të situatës, forcat e rendit kanë përforcuar praninë në zonë. Përballë ministrisë është vendosur një kordon i shtuar policor, ndërsa në terren janë dislokuar automjete ujëhedhëse dhe furgonë policie. Gjithashtu, gjashtë furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë në gatishmëri.

Prej gjashtë ditësh, studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë protestuar në kryeqytet. Tubimet e mëparshme janë shoqëruar me episode dhune, ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime të personave nga të dyja palët.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme