Edhe Cardinale e ka humbur durimin, merkato e gabuar dhe një Milan me shumë probleme

Në Milanello diskutimi mbetet i njëjtë. Merkato e gabuar, drejtorë sportivë që shkojnë dhe vijnë, trajnerë që nuk bindin dhe grup lojtarësh i pakompletuar. Nëse problemi do të ishte për të gjetur një fajtor, do të ishte e lehtë zgjidhja, por vitet e fundit flasin për shumë gabime në vendime të rëndësishme, për mungesë rezultatesh dhe investime që nuk prodhojnë atë që të gjithë presin.
Shembulli më i qartë është Gonçalo Ramos, blerja më e shtrenjtë e historisë kuqezi. Sulmuesi është në majë të listës të të akuzuarve. Pronari Gerry Cardinale duket se e ka humbur durimin dhe kërkon që Milani të mos rrëshkasë në mediokritet. Ai ka kërkuar nga të gjithë kthesën e fortë. Por si?
Problemi më i madh është se skuadra ka mangësi dhe për ta kompletuar duhet pritur janari. Ndërtimi i skuadrës duhet lënë në duar më eksperte dhe kjo do të thotë se duhet një drejtor sportiv. Ka zëra për Benatia.
Pas dëmtimeve të Saelemaekers dhe Gabbia mungon diçka te Milani, jo vetëm një qendërsulmues. Duhet patjetër një mbrojtës qendre dhe një anësor i majtë më i mirë se Estupinan. Pastaj, deri në janar duhet të jetë trajneri Amorim që t’i japë një kuptim skuadrës, sepse nuk e ka.
Loja e premtuar, me presing lart, deri tani është një hipotezë. Topi lëviz shpesh shumë ngadalë dhe horizontalisht, pa vertikalizime në hapësira që askush nuk i mbush. Këtu lind nevoja që Ramos tërhiqet për të lidhur repartet, duke lënë bosh zonën. Duhet kohë, por tashmë nuk ka më kohë. Kalendari është shumë i ngjeshur.
Cardinale mund të bëjë ndonjë tjetër përmbysje, me vendime ndoshta drastike. “Make Milan Great Again” nuk duket më një projekt që bind. Dhe kur nervozohet Cardinale, rrezikojnë të gjithë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




