Hoxha nga Roma: Zgjerimi është investimi më i suksesshëm strategjik i BE-së, Shqipëria synon mbylljen e negociatave në 2027

Politikë | 4 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Romë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, ku u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha e cilësoi zgjerimin si një nga investimet më të rëndësishme strategjike të Bashkimit Evropian, duke theksuar se ruajtja e ritmit të procesit të anëtarësimit është në interes jo vetëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të vetë BE-së.

“Nuk mund ta theksojmë sa duhet: në një moment kur Evropa përballet me sfida të thella gjeopolitike, zgjerimi mbetet një nga investimet strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian në paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet. Ruajtja e momentumit në procesin e anëtarësimit nuk është vetëm jetike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor; është po aq e rëndësishme për forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë gjeopolitike të vetë Evropës në të ardhmen”, deklaroi Ministri.

  • Në takimin ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hoxha nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, duke theksuar se vendet kandidate duhet të vijojnë reformat, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë dhe të shpërblejë progresin e arritur.

    Ministri theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur në kursin e saj evropian dhe do të vijojë me të njëjtin angazhim për të përmbushur detyrimet e procesit të integrimit.

    Sipas Hoxhës, objektivi i qeverisë është që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në vitin 2027, ndërsa synimi strategjik mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

    “Shqipëria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur qëllimin e saj strategjik për t’u bërë anëtare e familjes evropiane brenda kësaj dekade. Kjo nuk është vetëm një ambicie kombëtare; është një angazhim i rrënjosur në reformat tona, i mbështetur nga qytetarët tanë dhe i nxitur nga bindja jonë se e ardhmja e Shqipërisë qëndron fort brenda BE-së. Dritarja aktuale e mundësisë është historike”, përfundoi Hoxha.


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme