Kryeprokurori serb: Së shpejti vendimi për aktakuzën kundër Milan Radoiçiqit për Banjskën

Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviç, ka deklaruar se në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm do të merret vendim për aktakuzën kundër kriminelit Milan Radojiçiç, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar.
Mediumi serb “Danas”, transmeton se, “vendimi për ngritjen e aktakuzës do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Është kërkuar dorëzimi i raportit për hetime, fotodokumentacioni, raportet e autopsisë së të gjithë personave të vdekur, raportet mjekësore të të gjithë personave të lënduar”.
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi kishte shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





