Manipuloi ndeshjet, pezullim 24-vjeçar për tenistin serb

ITIA (Agjencia Ndërkombëtare për Integritetin në Tenis) ka vendosur një sanksion shembullor ndaj Stefan Milicevicit, i cili është përgjegjës për shkelje të rënda të rregullave kundër korrupsionit në tenis. Lojtari serb është pezulluar për 24 vjet dhe është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 70,000 dollarësh.
Duke filluar nga 9 tetori – data kur sanksioni hyri në fuqi – Milicevic është përjashtuar plotësisht nga çdo aktivitet që lidhet me ITIA-n. Për më tepër, deri në vitin 2050, atij i ndalohet të marrë pjesë në çdo event të organizuar ose të sanksionuar nga World Tennis, WTA, ATP, turnetë Grand Slam, apo ndonjë federatë kombëtare.
Në deklaratën zyrtare të ITIA-s thuhet: “Milicevic, 29 vjeç – i cili në gusht të vitit 2014 arriti renditjen më të lartë në karrierën e tij, duke u pozicionuar në vendin e 1338-të në botë – u gjet fajtor për manipulimin e gjashtë ndeshjeve, në pesë prej të cilave ai vetë kishte marrë pjesë, si dhe për tentativën për të manipuluar gjashtë ndeshje të tjera gjatë periudhës 2022–2024.”
Deklarata vijon: “Lojtari u akuzua gjithashtu për rekrutimin, ose tentativën për të rekrutuar, profesionistë të tjerë në një rrjet korruptiv që vepronte gjatë së njëjtës periudhë, duke kontribuar kështu në manipulimin e ndeshjeve shtesë.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



