Mbyllet zyrtarisht votimi! Qytetarët vendosën për të ardhmen e 5 bashkive. Pjesëmarrja 18.51%, kryesoi Mati, Vlora e fundit

Mbyllet zyrtarisht votimi! Qytetarët vendosën me votën e tyre për të ardhmen e bashkive të vendit: Mat, Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë. Ora 18:00 shënoi mbylljen e procesit të votimit në të gjitha qendrat e këtyre pesë bashkive, ku të drejtë vote kishin në total 334 mijë qytetarë.
Pjesëmarrja deri në orën 18:00 ishte 18.51%. Pjesëmarrjen më të lartë e ka shënuar Bashkia Mat me 39.23%, ndërsa më e ulët ishte në Bashkinë Vlorë me 12.59%. Pjesëmarrja në bashkitë e tjera ishte: Tepelenë 34.63%, Cërrik 24.81% dhe Berat 19.81%.
Autoritetet konfirmuan se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi ishte pa probleme, me vetëm dy raportime për incidente në Cërrik dhe Vlorë, të cilat do të verifikoheshin.
Kandidatët në garë, pasi hodhën votën e tyre, bënë thirrje qytetarëve të dilnin masivisht për të votuar. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ, pjesëmarrja më e lartë ishte tek grupmosha mbi 65-vjeç, ndërsa më e ulët tek të rinjtë 18-22 vjeç.
Në këto zgjedhje të pjesshme, në Vlorë garojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë, kandidatja socialiste Brunilda Mersini përballë Dionis Sotës, kandidatit i pavarur i mbështetur nga opozita, si dhe anëtari i këshillit bashkiak nën siglën e demokratëve Gjergj Nika.
Për bashkinë e Beratit, në garë janë kandidati socialist Ervin Caka dhe kandidati i pavarur, Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita.
Për bashkinë e Matit në garë janë kandidati socialist Altin Bojni dhe kandidati i pavarur Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me dy kandidatët e pavarur, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Për bashkinë e Tepelenës garojnë kandidati socialist Gramoz Sako, ndërsa opozita ka mbështetur kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Kryebashkiakët që do të dalin fitues nga këto zgjedhje do të kenë një mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës lokale në pranverën e vitit 2027.
Zhvillimet minutë pas minute
Zgjedhjet në Cërrik, mbërrijnë kutitë e para të votimit në KZAZ
Menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë Cërrik, ka nisur faza tjetër thelbësore e procesit: dërgimi i kutive të votimit drejt Komisionit të Zonës Administrative Zgjedhore (KZAZ).
Kutitë e para, së bashku me dokumentacionin shoqërues, kanë mbërritur në ambientet e KZAZ-së dhe po merren në dorëzim nga anëtarët e komisionit. Kjo shënon fillimin e procedurave për verifikimin e dokumentacionit dhe përgatitjen për numërimin e votave.
Sipas procedurave, pas dorëzimit dhe verifikimit të të gjithë materialit zgjedhor, do të fillojë procesi i numërimit.
Dita e votimit në Cërrik përgjithësisht ka kaluar në qetësi dhe nën vëzhgimin e institucioneve përgjegjëse, ndërsa vëmendja tani zhvendoset te KZAZ-ja.
Zgjedhjet për kryebashkiak në Tepelenë, Meçe: Procesi i votimit mbyllet pa incidente, pjesëmarrje relativisht e ulët
Votimi për kryetar bashkie në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht në orën 18:00, duke shënuar fundin e njëdite të qetë zgjedhore. Kryetari i Komisionit të Zonës Administrative Zgjedhore (KZAZ) 80, zoti Xhaferr Meçe, konfirmoi për RTSH 24 se procesi ka qenë tërësisht normal dhe nuk është regjistruar asnjë incident. Fokusi kryesor i deklaratës së z. Meçe ishte shkalla e pjesëmarrjes, e cila rezulton të jetë relativisht e ulët.
“Përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje mund të thuhet se ka qenë relativisht e ulët, në nivelin rreth 33% të zgjedhësve të regjistruar në lista,” bëri të ditur Meçe.
Ai shtoi se kjo përqindje e ulët shpjegohet kryesisht me kushtet atmosferike. “Edhe moti i keq i cili gjatë gjithë pasdites të së dielës është shoqëruar me reshje shiu, ka ndikuar,” tha ai.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, kutitë me fletët e votimit dhe dokumentacioni shoqërues do të transferohen në ambientet e KZAZ-së për marrjen në dorëzim, para se të fillojë procesi i numërimit.
“Të gjitha kutitë e votimit do të vijnë në KZAZ ku do të merren në dorëzim kutitë e votimit dhe dokumentacioni shoqërues. Pasi të kryhet ky proces, më pas do të fillojë numërimi i votave,” përfundoi Meçe, duke sinjalizuar fazën tjetër të rëndësishme që do të përcaktojë fituesin e garës për kreun e Bashkisë Tepelenë.
Incidenti në qendrën e votimit në Klos, komisioneri Redon Çala: Ishte keqkuptim
Komisioneri Redon Çala në Njësinë Administrative Klos ka shpjeguar incidentin e ndodhur në qendrën e votimit, teksa po votohet për kreun e Bashkisë së Cërrikut, gjë e cila u përmend edhe nga kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Çala ka deklaruar se ka qenë një keqkuptim ku kryefamiljari ka ndihmuar bashkëshorten e tij në paaftësi për të vijuar procesin e votimit.
“Këtu ndodhi një keqkuptim rasti. Vjen familjari bashkë me familjen e tij, vjen bashkë me të atin. Shoqërohet nga kryefamiljari, dhe e shoqja e tij ishte në paaftësi për të vazhduar procesin e votimit, kërkon ndihmën nga bashkëshorti. Bashkëshorti afrohet dhe e ndihmon. Kaq ndodhi. Pastaj nga ana e vëzhguesit përdoret telefoni në ambientet e qendrës së votimit gjë që nuk është e lejueshme”, u shpreh Çala.
Ai shtoi se rastin është dërguar “pranë protokollit të KZAZ-së dhe do ta shkruajmë edhe në protokollin e mbledhjes ku do të marrim të gjitha firmat e kryetares, sekretares dhe anëtarëve. Procesi i votimi vijon të jetë e rregullt dhe pa i ndërprerë”
Pjesëmarrja 18.55% deri në orën 17:00

Deri në orën 17:00, pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashkitë e vendit ka arritur në 18.55%.
Pjesëmarrjen më të lartë e ka shënuar Bashkia Mat me 39.99%, e ndjekur nga Bashkia Tepelenë me 32.21%, Bashkia Cërrik me 23.49%, dhe Bashkia Berat me 19.84%. Ndërsa pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Bashkinë Vlorë, me 12.42%.
Zgjedhjet në Vlorë, Kaso thirrje qytetarëve për të shfrytëzuar orën e fundit të votimit
Klevis Kaso, kryetar i Partisë Socialiste në Vlorë, i ka bërë thirrje qytetarëve të qytetit të përfitojnë nga koha e mbetur për të ushtruar të drejtën e tyre për votim.
“Kanë mbetur shumë pak çaste deri në mbylljen e procesit të votimeve. I ftoj të gjithë qytetarët të drejtohen drejt kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre. Vota është një e drejtë legjitime dhe kjo ju takon juve për të ardhmen e qytetit të Vlorës,” tha Kaso.
Ai nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe rolin e secilit në formësimin e të ardhmes së qytetit.
Pjesëmarrja 16.93% deri në orën 16:00

Deri në orën 16:00, pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashkitë e vendit ka arritur në 16.93%.
Pjesëmarrjen më të lartë e ka shënuar Bashkia Mat me 37.5%, e ndjekur nga Bashkia Tepelenë me 31.05%, Bashkia Cërrik me 23.83%, dhe Bashkia Berat me 17.22%. Ndërsa pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Bashkinë Vlorë, me 11.36%.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi zgjedhor po zhvillohet pa problematikë të rëndësishme. Sipas tij, janë raportuar vetëm dy raste të veçanta, një në Cërrik dhe një në Vlorë.
Rasti në Cërrik, tha Celibashi, lidhet me sjelljen e një vëzhguesi, por duhet verifikuar nëse ai ka qenë vërtet vëzhgues apo një qytetar që sipas pretendimeve të një subjekti politik po patrullonte procesin e votimit. Lidhur me rastin në Vlorë ka pasur një situatë mes kryetares së qendrës së votimit dhe operatorëve lidhur me procedurat e votimit.
“Nuk rezulton të ketë pasur problematikë të rëndësishme gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor. Është raportuar vetëm për dy raste të veçanta, një në Cërrik dhe një në Vlorë. Rasti në Cërrik ka të bëjë me sjelljen e një vëzhguesi, por duhet verifikuar nëse ai ka qenë vërtet vëzhgues apo një qytetar që pretendon një subjekt politik se po patrullonte procesin e votimit. Nuk mund të konfirmohet ende saktësisht e vërteta.
Në një qendër votimi në Vlorë ka pasur një situatë mes kryetares së qendrës dhe operatorëve lidhur me procedurat e votimit, dhe KQZ po verifikon rastin.
Nga ana tjetër, pjesëmarrja në 5 bashkitë e monitoruara është më e lartë tek grupmosha mbi 65 vjeç”, tha Celibashi.
Celibashi theksoi se votuesit që ndodhen jashtë qendrave të votimit pas mbylljes së orarit zyrtar duhet të evidentohen në moment, dhe vetëm ata të regjistruar do të lejohet të votojnë. Askush tjetër pas orës 18:00 nuk do të ketë të drejtë vote.
“Nëse ka votues jashtë qendrës së votimi pas mbylljes së orarit zyrtar do të duhen evidentuar në atë moment dhe do i lejojnë të votojnë vetëm ata që do jenë pjesë e kësaj evidence. Askush tjetër pas orës 18:00 nuk do lejohet të votojë”, tha ai.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka reaguar pas pretendimeve të njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, i cili ka deklaruar se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët për votën në zgjedhjet që po zhvillohen në këtë bashki.
Policia bën të ditur se pas marrjes së informacionit, shërbimet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për verifikim, por se nuk kanë vërejtur asnjë problematikë.
“Nga kontrollet e kryera nuk janë konstatuar shtetas në afërsi apo pranë gjimnazit ‘Tomorr Sinani’. Gjithashtu, nuk ka pasur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë Qendrave të Votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë,” thuhet në reagim e policisë.
Policia e Elbasanit thekson se mbetet e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Pjesëmarrja 15.39% deri në orën 15:00

Deri në orën 15:00, pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashkitë e vendit ka arritur në 15.39%.
Pjesëmarrjen më të lartë e ka shënuar Bashkia Mat me 34.99%, e ndjekur nga Bashkia Tepelenë me 29.28%, Bashkia Cërrik me 22.05%, dhe Bashkia Berat me 15.7%. Ndërsa pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Bashkinë Vlorë, me 10.26%.
Zgjedhjet në Tepelenë, Kumbaro: Procesi i qetë pa probleme, qytetarët të dalin në votime
Drejtuesja politike e PS e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor në Bashkinë e Tepelenës.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të Tepelenës që të marrin pjesë në votime gjatë orëve të mbetura deri në 18:00 kur përfundon edhe votimi.
“Procesi ka nisur që në orën 07:00, sipas të gjitha parashikimeve të KQZ-së. Çdo gjë ka rrjedhur normalisht dhe nuk është raportuar asnjë problem. Duke pasur parasysh kushtet e motit që e vështirësojnë disi lëvizjen, ecuria ka qenë e mirë, sidomos krahasuar me të njëjtën orar në zgjedhjet e 11 majit 2025 apo ato vendore të vitit 2023. Ftoj të gjithë banorët e Tepelenës që të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike në kutitë e votimit. Çdo qytetar duhet të japë votën e tij për qytetin”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro shtoi se Tepelena ka qenë gjithmonë konstante në pjesëmarrje, duke theksuar se, edhe pse është një bashki e vogël, interesi i qytetarëve mbetet i qëndrueshëm.
Pjesëmarrja 13.39% deri në orën 14:00

13.39% është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 14:00 në zgjedhjet e pjesshme vendore që po mbahen në Bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Sipas shifrave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Bashkinë e Vlorës raportohet për 9.62% pjesëmarrje, për Bashkinë Berat 14.16%, për Bashkinë Cërrik 20.38%, për Bashkinë Mat 31.13% dhe për Bashkinë Tepelenë 27.67%.
Bashkia Mat ka deri në këto momente pjesëmarrjen më të lartë të votuesve, ndërsa Bashkia Vlorë ka pjesëmarrjen më të ulët.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një pasqyrë të ecurisë së procesit zgjedhor në pesë bashki deri në orën 13:00.
Sipas tij, procesi po zhvillohet normalisht, plotësisht i qetë dhe i rregullt, pa asnjë shqetësim serioz.
“Procesi po shkon normalisht dhe po zhvillohet plotësisht i qetë dhe i rregullt, pa asnjë shqetësim serioz. Deri tani nuk kemi evidentuar ndonjë problem që ka penguar procesin e votimit, dhe të gjitha qendrat e votimit po funksionojnë normalisht,” tha Celibashi.
Ai raportoi se pjesëmarrja deri në këto momente është 13.09% për të 5 bashkitë. Pjesëmarrja më e lartë është në Bashkinë Mat me 29.326%, ndërsa më e ulëta në Vlorë me 8.51%.
Sipas të dhënave demografike, pjesëmarrja më e madhe e votuesve është në grupmoshën 55-64 vjeç, ndërsa më e ulëta te të rinjtë 18-22 vjeç.
“Sa i përket pjesëmarrjes, ajo është 13.09% në të pesë bashkitë. Pjesëmarrja më e lartë është në Bashkinë Mat me 29.326%, ndërsa më e ulëta në Vlorë me 8.51%. Sipas grupmoshave, pjesëmarrja më e madhe e votuesve për të pesë bashkitë është në moshën 55-64 vjeç, ndërsa më e ulëta te të rinjtë 18-22 vjeç”, tha Celibashi.
Pjesëmarrja 13.09% deri në orën 13:00

13.09% është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 13:00 në zgjedhjet e pjesshme vendore që po mbahen në Bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Sipas shifrave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Bashkinë e Vlorës raportohet për 8.51% pjesëmarrje, për Bashkinë Berat 13.38%, për Bashkinë Cërrik 17.91%, për Bashkinë Mat 29.26% dhe për Bashkinë Tepelenë 24.52%.
Bashkia Mat ka deri në këto momente pjesëmarrjen më të lartë të votuesve, e ndjekur nga bashkia Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë.
Voton Ermal Dredha, ish-kryetari i Bashkisë Vlorë

Ish-kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ka ushtruar sot të drejtën e votës.
Dredha votoi pranë ambienteve të universitetit dhe ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Zgjedhjet në Vlorë, kandidati i pavarur Gjergj Nika: Pjesëmarrja e ulët, nuk do e kalojë shifrën 15%
Kandidati i pavarur Gjergj Nika në garën për Bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e pjesshme vendore, përballë kandidates socialiste Brunilda Mersini dhe Dionis Sotës, kandidatit të mbështetur nga opozita, deklaroi se pjesëmarrja në këto zgjedhje është mjaft e ulët. Ai theksoi se pjesëmarrja në këto zgjedhje, nuk e kalon shifrën e 15%.
“Sa i përket pjesëmarrjes së ulët unë mendoj se do të ketë një bojkotim të klasës politike, dhe ky do të jetë leksion. Dhe ky leksion do vijë nga Vlora. Sipas meje përqindja në këto zgjedhje nuk e kalon 15%”, deklaroi Nika, teksa shtoi se ka hyrë në këtë garë për të fituar. Ai theksoi se do të ndjekë individualisht çdo shkelje ligjore.
Ora 12:00: pjesëmarrja në 5 bashki: 10.64%

Deri në orën 12:00 në 5 bashkitë e vendit kanë votuar 10.64% e qytetarëve. Nga të dhënat e KQZ-së, Mati ka pjesëmarrjen më të lartë ku kanë votuar 24.16% e qytetarëve, ndërsa Vlora pjesëmarrjen më të ulët, vetëm 6.88%.
Në Tepelenë kanë votuar 21.01%, në Berat 11.12% dhe në Cërrik 14.88% e zgjedhësve.
Ministri i Bujqësisë Andis Salla në një deklaratë për media pas votimit për zgjedhjet e pjesshme që po mbahen për Bashkinë e Cërrikut ku garojnë kandidati socialist Florenc Doka, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Salla deklaroi se zgjedhjet janë të qeta, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë vullnetin e tyre për votën e lirë.
“Zgjedhjet e pjesshme vazhdimësi e punëve të mira të nisura dy vite më parë. Zgjedhjet duken të qeta, ftoj banorët të votojnë të qetë, masivisht për të shprehur vullnetin e tyre që të vazhdojë çdo punë e mirë e nisur në këtë qytet në gjithë njësitë e tjera administrative.
Pjesëmarrja mendoj se do rritet. Është një moment që do e shohim në fund të ditë procesin., Gjej rastin të ftoj banorët për të marrë pjesë në votime që të shprehin vullnetin e tyre ndaj votës së lirë”, deklaroi ai.
Pyetur nëse ka projekte konkrete për bashkinë Cërrik, ministri theksoi se pro.buxheti i 2026-ës që pritet të kalojë në parlament ditët në vijim, ka përfshirë në proces të gjitha bashkitë për çdo sektor.
“Projekte konkrete qeveria ka sipas pr.buxhetit që miraton për pak ditë në parlament. Bashkia Cërrik, është në proces të gjithë paketës së qeverisë në çdo fushë”, shtoi ai/
Zgjedhjet në Tepelenë, kryetari i KZAZ 80, Xhaferr Meçe: Procesi i qetë, pjesëmarrja deri tani 15%
Kryetari i KZAZ 80, Xhaferr Meçe, ka dhënë informacion mbi zhvillimin e procesit zgjedhor në këtë zonë.
Sipas tij, votimi ka nisur në orën 07:00 dhe po zhvillohet normalisht, pa asnjë problem të raportuar deri tani. Deri në këto momente, pjesëmarrja është rreth 15%, ndërsa procesi po ndiqet me vëmendje nga autoritetet zgjedhore.
“Pjesëmarrja është krejt normale dhe po vijon sipas parametrave që kemi parë edhe në zgjedhjet e tjera. Shpresojmë që pjesëmarrja të kalojë 50%,” deklaroi Meçe.
Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve dhe respektimin e procedurave ligjore gjatë gjithë ditës së votimit.
Ora 11:00: pjesëmarrja në 5 bashki: 8.38%

Deri në orën 11:00 në 5 bashkitë e vendit kanë votuar 8.38% e zgjedhësve. Nga të dhënat e KQZ-së, Mati ka pjesëmarrjen më të lartë ku kanë votuar 19.24% e qytetarëve, ndërsa Vlora pjesëmarrjen më të ulët, vetëm 5.11%.
Në Tepelenë kanë votuar 15.11%, në Berat 8.11% dhe në Cërrik 11.38% e zgjedhësve.
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Beratit, Ervin Ceca, ka ushtruar sot të drejtën e votës.
Pas votimit, Ceca u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në mënyrë sa më masive në procesin zgjedhor dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Beratit t’i bashkohen këtij procesi dhe të shprehin vullnetin e tyre. Jam i bindur që qytetarët e Beratit do të bëjnë zgjedhjen e duhur,” deklaroi Ceca.
Ai theksoi se dita e votimit është moment i rëndësishëm për të ardhmen e qytetit dhe zhvillimin e bashkisë.
Kandidati i PS-së për Bashkinë e Cërrikut, Florenc Doka pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryebashkiakun e qytetit.
Doka u shpreh se pjesëmarrjet në zgjedhje kanë një trend në ulje, por shpreson që qytetarët të dalin masivisht për të votuar.
“Qytetarët ta shfrytëzojnë kohën për të votuar. Procesi po shkon normal. Shpresojmë që të shkojë çdo gjë mirë, të dalim me rezultate dhe ti rikthehemi normalitetit si komunitet i vogël që jemi.
Zgjedhjet kanë një trend në ulje, por megjithatë ne shpresojmë që këtë radhë qytetarët e Cërrikut të dalin masivisht”, deklaroi Doka.
Zgjedhjet në Tepelenë, voton deputeti Tërmet Peçi: Qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje
Deputeti socialist dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, ka ushtruar sot të drejtën e votës në zgjedhjet vendore.
Pas votimit, Peçi u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht në votime, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e qytetit.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Tepelenës të marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje, ku sot përcaktohet drejtimi dhe menaxhimi për qytetin tonë,” deklaroi Peçi.
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Beratit, Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga opozita ka hedhur votën e tij ndërsa ka dhënë dhe një mesazh për elektoratin.
“Mirënjohje dhe respekt për qytetarët e Beratit. Mirënjohës dhe falenderues.
Dua ta projektoj të ardhmen e këtij qyteti. Jam shumë i lumtur. I bëj thirrje qytetarëve që të dalin në votime me dashuri, pa problem. Unë sot luftën e kam me shtetin. Ato që më votojnë mua luftën e kanë me shtetin. Ne jetojmë në diktaturë. Shteti po bën shumë gjëra në fshehtësi.
Unë dua t’i jap ngrohtësi këtij qyteti, që qytetari më i thjeshtë të jetë pjesë e punës sime.
Berati është i yni. Ne kemi nevojë për këtë qytet dhe Berati sot duhet të flas dhe të zgjedhë njeriun më të mirë, jo partiak që është marionetë e atij që drejton këtë vend. Unë kam projekte dhe kam shumë dëshirë të ndryshoj këtë vend”, deklaroi ai.
Zgjedhjet në Mat, voton kandidatja e pavarur Suzana Pasha: Fitoftë më i miri
Kandidatja e pavarur për Bashkinë e Matit, Suzana Pasha, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në këtë bashki, ka hedhur votën e saj. Ajo ka falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës elektorale, duke shtuar se është e qetë dhe pret që të fitojë kandidati më i mirë për drejtimin e bashkisë.
“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Matit. Ju kam kërkuar mbështetjen derë më derë. Vota është e lirë, procesi është i qetë dhe mendoj se do të jetë edhe i barabartë” u shpreh Pasha,
Ajo theksoi se për të, zgjedhjet janë një proces demokratik që i përket të gjithë qytetarëve:
“Mat është qyteti ynë, shtëpia jonë dhe e fëmijëve tanë,” tha Pasha.
Kandidatja deklaroi gjithashtu se gjatë fushatës nuk ka pasur kërcënime apo presione, duke e cilësuar garën e saj si plotësisht të lirë.
“Nuk kam pasur asnjë kërcënim. Zgjedhja ime ka qenë e lirë dhe jam kandidate e pavarur. U bëj thirrje të gjithë zgjedhësve të Matit të dalin dhe të votojnë,” përfundoi Pasha.
Zgjedhjet në Cërrik, voton kandidati i pavarur nga shoqëria civile, Amarildo Hoxha
Ka ushtruar të drejtën e votës Amarildo Hoxha, kandidati i pavarur që përfaqëson shoqërinë civile në garën për Bashkinë e Cërrikut.
Hoxha u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht për të votuar, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, shpreson që fituesi të shërbejë për të mirën e Cërrikut.
“Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë masivisht. Kushdo të fitojë, uroj që të shërbejë për Cërrikun,” tha Hoxha.
Procesi i votimit në Cërrik ka vijuar i qetë deri në mesditë, pa raportime për incidente apo parregullsi në qendrat e votimit.
Zgjedhjet në Bashkinë Mat, voton kandidati Eduart Brahilika: Mesazhi im, votoni për ndryshimin
Kandidati Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita në garën për kryebashkiak të Bashkisë Mat, pas votimit, në një deklaratë për media e konsideroi procesin si të qetë. Ai i bëri thirrje qytetarëve të Matit që të votojnë për ndryshimin, ndërsa theksoi se ka marrë gjithë masat që qytetarët të votojnë të lirë.
“Procesi i votimit, shumë i qetë, shumë mirë. Mesazhet i kemi dhënë gjatë periudhës zgjedhore. Mesazhi im për popullin sot, është për një drejtim të ri, për një ndryshim të mënyrës si është qeverisur Bashkia Mat. Mesazhi im për matjanët, votoni për ndryshimin. Shqipëria po tkurret çdo ditë, po braktiset, nuk është faji im si kandidat, por i keqqeverisjes 13-vjeçare. E kam thënë në këtë garë kam hyrë me bindjen e plotë që populli i Matit të votojë i lirë, kam marrë të gjitha masat e kam bërë përpjekje. Por komisionet në QV dhe punonjës të administratës janë problem gjithmonë.”, tha ai.
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Dionis Sota, i mbështetur edhe nga opozita, ka ushtruar sot të drejtën e votës.
Pas votimit, Sota u bëri thirrje qytetarëve të Vlorës të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për të ardhmen e qytetit të tyre.
“Sot është një ditë feste për të gjithë qytetarët e Vlorës. Janë ata sovrani dhe pronarët e qytetit të tyre. I ftoj të gjithë të votojnë dhe të zgjedhin djalin e tyre, opsionin më të mirë për Vlorën, për të gjitha problematikat që i njohim mirë,” tha Sota.
Ai theksoi se vota është një detyrim qytetar dhe se askush nuk duhet ta lërë pa e ushtruar.
“Sot është detyrim i çdo qytetari që të mos e lërë votën të flejë në sirtarin e shtëpisë apo në kafenenë e lagjes. Duhet të vijë e të votojë, sepse është e rëndësishme për qytetin dhe për të ardhmen e tij. Historikisht, Vlora ka pasur pjesëmarrje të ulët, ndaj bëj ftesë të gjithë vlonjatëve të vijnë e të hedhin votën e tyre,” u shpreh Sota.
Kandidati i pavarur tha gjithashtu se deri në orët e para të ditës procesi zgjedhor ka vijuar normalisht, pa probleme.
KQZ: Pjesëmarrja në 5 bashki 5.09% deri në orën 10:00
KQZ ka publikuar pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje në pesë bashkitë deri në orën 10:00. Pjesëmarrja më e lartë vijon të jetë në Bashkinë e Matit me 12.58%, duke u ndjekur nga Bashkia Tepelenë me 8.75%. Në Bashkinë Cërrik deri në orën 10:00 kanë votuar 6.88% e qytetarëve, ndërsa në Bashkinë Berat, 5.01%. Sipas të dhënave nga KQZ, pjesëmarrja më e ulët është në Bashkinë e Vlorës, vetëm 3.01%.

Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, Brunilda Mersini, ka ushtruar sot të drejtën e votës. Ajo mbërriti në qendrën e votimit e shoqëruar nga bashkëshorti dhe vajzat e saj.
Pas votimit, Mersini u shpreh se kjo është një ditë e veçantë jo vetëm për të personalisht, por edhe për qytetin e Vlorës dhe qytetarët e tij.
“Është një ditë e shënuar jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë qytetin. Ndjej ritmin e Vlorës dhe përkushtimin ndaj njerëzve të saj. Kjo ditë është për qytetin dhe për qytetarët e Vlorës, të cilët kanë treguar kulturë demokratike dhe përgjegjësi qytetare. Uroj që sot të votojnë me zemër, me mendje dhe me ndjenjën e përgjegjësisë për të ardhmen e qytetit,” tha Mersini.
Kandidatja socialiste shtoi se pjesëmarrja në votime po shkon mirë dhe se është e kënaqur me interesimin e qytetarëve.
“Mendoj se pjesëmarrja është shumë e mirë dhe jemi të kënaqur. Edhe shiu sot ka simbolikën e mbarësisë,” përfundoi ajo.
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tepelenës, Gabriel Guma, i cili mbështetet edhe nga opozita, ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit në Luzat të Tepelenës.
Pas votimit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë Tepelenë.
“Bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të votojnë masivisht, duke bërë zgjedhjen e duhur”, tha Guma.
Rreth 334 mijë qytetarë pritet t’i drejtohen 472 qendrave të votimit deri në orën 18:00, për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj të Matit, Tepelenës, Vlorës, Beratit dhe Cërrikut.
Kandidati i PS, Gramoz Sako, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Tepelenë. Pas procesit të votimit, Sako i bëri thirrje banorëve të marrin pjesë në votime dhe të shprehin vullnetin e lire.
“Sapo votova në fshatin e lindjes, në Nivicë. U bëj thirrje të gjithë banorëve të Bashkisë Tepelenë të dalin masivisht në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë”, bëri thirrje Sako.
2.42% është deri në këto momente pjesëmarrja totale e votuesve në 5 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një konferencë për media bëri me dije se në Bashkinë e Vlorës pjesëmarrja është 1.49%; në Bashkinë e Beratit 2.57%; në Bashkinë e Cërrikut 3.36%; në Bashkinë e Matit 6% dhe në Bashkinë e Tepelenës 4.73%.
Celibashi theksoi se procedura e votimit ka nisur normalisht, ndërsa shtoi se nuk janë raportuar problematika deri në këto momente. Kreu i KQZ shtoi gjithashtu se nuk ka pasur probleme as me pajisjen PEI.
“Përgjithësisht procesi ka nisur normalisht. QV në masën 81% të tyre janë hapur në 07:00 vetëm 19% e QV janë hapur mes orës 07:00-08:00 të mëngjesit.
Sa i përket komisioneve të QV 34% e tyre janë të përbërë me 7 anëtarë, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë dhe 19% me 4 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të tyre kishte mungesë të kuorumit pra kishin 3 anëtarë por në komunikimet që kemi patur me partitë politike edhe në ato 3 QV u mundësua kuorumi i plotë. Deri në momentin që po flasim nuk janë raportuar problematika. Nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Janë 100% e QV meoperatorë.
Identifikimi po kryhet në 100% të QV përmes këtyre pajisjeve. Për shkak të mungesës së mbulimit me rrjet të telefonisë mobile, nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV por ndërkohë në mënyrë alternativë po marrim informacion dhe në këto QV. Ajo çfarë vlen të theksohet është që s’kemi pasur problem me pajisjen PEI.
Sa i përket pjesëmarrjes, deri në momentin që po flasim, është 2.42% pjesëmarrja në total në gjithë bashkitë: 1.49% në Vlorë; 2.57% në Berat; 3.36% në Cërrik; 6% në Mat; 4.73% në Tepelenë”, deklaroi Celibashi.
Ky i fundit theksoi se procesi i numërimit do të transmetohet në kohë reale për shkak të numrit të vogël të KZAZ.
“Do aplikojmë numërimin e fletëve të votimit edhe me AI dhe ky informacion do jetë publik në kohë reale”, tha Celibashi.
Kandidati i propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima ka votuar sot për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Cërrikut.
Pasi ka hedhur votën e tij në kutinë e votimit, Hima u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj bashkie, që të votojnë, pasi sikurse tha ai para mediave, e vetmja mënyrë përtë vënë në punë bashkinë e këtij qyteti, është pikërisht vota e qytetarëve.
“Banorët e bashkisë së Cërrikut të marrin pjesë masivisht sot në kutitë e votimit sepse e vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet që kemi për të vënë bashkinë e Cërrikut në punë është vetëm vota. I ftoj masivisht të votojnë.”, tha ai.
Kandidati zyrtar i Partisë Socialiste Altin Bojni ka votuar në QV pranë Lagjes së re, për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Matit.
Në një deklaratë për media pas votimit, Bojni vlerëson se kjo ditë votimi, është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Bashkisë së Matit. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës së lirë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Bashkisë Mat.
“Sapo votova, sot është një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen e bashkisë sonë. E diela është dita e votuesve, dita e vendimit, dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithë në votime me qetësi e dinjitet”, deklaroi Bojni pas votimit.
Pjesëmarrja deri në orën 09:00

KQZ ka publikuar pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje deri në orën 09:00.
Vihet re se pjesëmarrja më e lartë është në bashkinë e Matit, 6.02%, ndjekur nga Tepelena, 4.73%. Në Bashkinë Cërrik deri në orën 09:00 kanë votuar 3.32% e qytetarëve, në bashkinë Berat, 2.44%, ndërsa pjesëmarrja më e ulët është në Bashkinë e Vlorës, vetëm 1.45%.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




