Pas thirrjeve të prindërve, Ministria e Arsimit rikthen në punë oficerin e sigurisë në shkollën “Jan Kukuzeli”

Pas thirrjeve të prindërve dhe stafit mësimor, Ministria e Arsimit ka rikthyer në punë oficerin e sigurisë në shkollën “Jan Kukuzeli” në Durrës.
Oficerja e sigurisë u pushua një ditë më parë pasi shkolla nuk e arrin pragun minimal të arsimit të mesëm të lartë prej 80 nxënësish, pasi në shkollë ndodhen vetëm 79.
Stafi mësimor sëbashku me prindërit ngritën shqetësimin se mungesa e oficerit të sigurisë cenonte sigurinë e fëmijëve të tyre, pasi në këtë shkollë ka një diferencë moshash, duke nisur nga 6-18 vjeç.
Edhe Drejtoresha e komanduar e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Eva Deveja ju bashkua shqetësimit lidhur me largimin e oficerit të sigurisë, prezenca e të cilit përcaktohet në bazë të numrit të nxënësve. “Kjo u bë shkak e një irritimi nga prindërit pasi shkolla me 323 nxënës mbetet e pambuluar me oficer sigurie”, deklaroi më herët Deveja.
Shkolla “Jan Kukuzeli” ka një karakter të veçantë, duke përfshirë tre cikle arsimore, me nxënës nga mosha 6 deri në 18 vjeç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




