Programet e BE-së në Bosnje-Hercegovinë – “Erasmus +”, një mundësi për të rinjtë boshnjakë

Rajon | 9 muaj më parë

Programet e Bashkimit Evropian , siç është edhe “Erasmus +” kontribuojnë në zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ata që patën mundësinë të merrnin pjesë në një prej programeve të tilla ua rekomandojnë edhe të tjerëve të aplikojnë.

Një nga shembujt pozitivë është Selija Zhugor nga Mostari, e cila kaloi gjashtë muaj në qytetin spanjoll Kordoba. Për këtë të re të diplomuar në Menaxhim Turizmi, përvoja ishte e paharrueshme dhe e ndihmoi të zhvillohej si profesionalisht, ashtu edhe personalisht.

“Puna ime u bë shumë më e detajuar dhe shpesh e lidhja me vendin tonë, duke menduar se si mund të kontribuoj për Bosnje dhe Hercegovinën.”- shprehet ajo. Erasmus+ është ndër programet më të njohura për shkëmbimin mes të rinjve dhe studentëve. Sipas ekspertëve, përfitimet nuk kufizohen vetëm në udhëtime, por në zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për tregun e punës.

“Ekziston një paketë e tërë kompetencash ndërkulturore që fitohen kur hyn në një mjedis të ri.”- shprehet Jelena Jurçiç, zëvendësdekane në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Mostarit.

Mbështetje për të rinjtë ofron edhe Agjencia për Demokraci Lokale në Mostar, e cila gjatë pesë viteve të fundit ka ndihmuar mbi 200 të rinj nga e gjithë Bosnje dhe Hercegovina të marrin pjesë në projekte evropiane.

“Të rinjtë kthehen me ide të qarta se si mund të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë.”- u shpreh Maja Vejzoviç, nga Agjencia e Demokracisë Lokale. Ndërkohë, Komisioni Evropian ka shpallur thirrjen për programin Erasmus+ për vitin 2026, me një buxhet prej rreth 5.2 miliardë eurosh, duke ofruar mundësi për mësim, punësim dhe vullnetarizëm në të gjithë Evropën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme