Vizita e Von der Leyen, Koçi: Ishte mesazh pozitiv për integrimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 59 minuta më parë

Ish-deputeti i PS, Petro Koçi, e ka cilësuar pozitive vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë, duke e lidhur atë me ecurinë e procesit të integrimit evropian.

Në emisionin në “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, Koçi tha se vizita përcolli optimizëm për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se sfida kryesore mbetet përmbyllja e procesit të anëtarësimit dhe ratifikimi i tij nga vendet anëtare.

“Ishte një vizitë shumë pozitive në kuadrin e një procesi i cili është duke ecur me hapa shumë të shpejtë për sa i përket integrimit evropian dhe mendoj që është një vizitë që sjell optimizëm në tërësinë e vet, lidhur me përfundimin e procesit i cili natyrisht ratifikohet nga Komisioni, do të kërkojë patjetër atë momentin më të vështirë që është votimi në parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Koçi.

Ai theksoi se për Shqipërinë mbetet e rëndësishme përmbyllja e procesit, i cili pas fazave institucionale do të kërkojë edhe ratifikimin nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Sipas tij, krahas avancimit të Shqipërisë, rëndësi ka edhe mënyra se si vetë Bashkimi Evropian do të vijojë të funksionojë dhe të marrë vendime për zgjerimin.

“Pavarësisht se unë mendoj që sfida më e madhe e Bashkimit Evropian është mënyra se si ai vetë funksionon sesa zgjerimi në vetvete. Pra, nëse do të arrihet vendimmarrja jashtë fuqisë së vetos së vendeve anëtare apo jo”, tha Koçi.

Koçi tha se, për sa kohë procesi i integrimit është pozitiv për Shqipërinë, ai është i tillë edhe për shtetin.

 “Për sa kohë është për Shqipërinë, natyrisht është edhe për qeverinë, domethënë duke diskutuar thjesht këtë proces nga pikëpamja teknike sidomos, por edhe nga disa dinamika, që duhen parë nga dy këndvështrime, domethënë mbaj mend në një diskutim që patëm ditën që ndodhi arrestimi në shtëpi i zonjës që drejtonte Shërbimin Informativ, kam thënë që natyrisht ka dy këndvështrime. Njëri është ai kritik sepse kemi të bëjmë me një ngjarje e cila është shumë e rëndë por ka dhe një këndvështrim tjetër, sepse zonjën e vuri përballë drejtësisë shteti. Pra kur thellohemi SPAK-u nuk është se e thellojmë për një organizëm që vjen nga Hëna, është një SPAK i krijuar nga shteti shqiptar, nga politika shqiptare dhe që do të thotë se sërish mund të thellojmë që shteti funksionon”, tha Koçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme