Tensionet Berlin-Moskë, Gjermania bën përgjegjëse Rusinë për sulmin hibrid me dronë në aeroportin e Leipzigut, mbyll konsullatën ruse në Bon

Qeveria gjermane ka bërë zyrtarisht përgjegjëse Rusinë për një sulm të mbetur në tentativë me dronë të mbushur me eksploziv, ngjarje e regjistruar më 4 gusht në zonën e sigurisë të aeroportit Leipzig/Halle. Objektiv i këtij operacioni dyshohet të kenë qenë avionët e mallrave ukrainas dhe një avion i kompanisë DHL.
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e cilësoi ngjarjen si pjesë të një fushate më të gjerë destabilizuese kundër Evropës, duke u shprehur:
“Qeveria federale arrin në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për sulmin hibrid në Leipzig. Të marra së bashku, hetimet e policisë, modelet e krimit dhe gjetjet e inteligjencës vërtetojnë përgjegjësinë ruse. Ne nuk e shohim Leipzigun si një incident të izoluar, por e shohim atë në kontekstin e veprimeve të tjera hibride.“
Lidhur me metodologjinë e sulmit, autoritetet gjermane — të cilat zbuluan në total tre dronë gjatë atyre ditëve — theksuan se pajisjet dhe lëndët shpërthyese kanë ngjashmëri të plotë me taktika të tjera të përdorura më parë nga Moska. Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, nënvizoi se mjetet e përdorura, si konfigurimi i dronëve dhe sistemet e shpërthimit, janë tashmë të njohura nga operacione të tjera ruse në kuadër të luftës kundër Ukrainës.
Në përgjigje të këtij përshkallëzimi, të cilin prokurorët federalë e konsiderojnë një sulm serioz ndaj infrastrukturës kombëtare të logjistikës, Gjermania ka ndërmarrë masa të menjëhershme diplomatike dhe sigurie. Ministri Wadephul njoftoi shtrëngimin e kontrolleve kufitare dhe konfirmoi mbylljen e konsullatës ruse në Bon si dhe ndërprerjen e kontratës për Shtëpinë Ruse.
Qëndrimi i Berlinit dhe Kancelarit Friedrich Merz ka gjetur mbështetjen e plotë të institucioneve evropiane. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi të qartë përfshirjen e Rusisë në këtë provokim, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se ky incident do të diskutohet në nivel të lartë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Përmes një reagimi zyrtar, Von der Leyen konfirmoi solidaritetin evropian dhe paralajmëroi:
“Ne do ta mbajmë BE-në të bashkuar pavarësisht këtyre akteve serioze dhe gjithnjë e më intensive. Qeveria gjermane ka marrë masa vendimtare. Dhe mesazhi është i qartë: sulmet hibride nuk do të kalojnë pa një përgjigje të qartë.“
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



