Tiranë/ Shpërndante drogë në rrugën “Petro Nini Luarasi”, arrestohet nga “Shqiponjat” 27-vjeçari

Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Operacioni është pjesë e kontrolleve intensive që policia po ushtron në zona të ndryshme, me fokus të veçantë afërsinë me shkollat dhe ambientet e frekuentuara nga të rinjtë.
Gjatë ndërhyrjes së kryer në rrugën “Petro Nini Luarasi”, shërbimet e Policisë kanë rënë në gjurmët e një shpërndarësi të lëndëve narkotike.
I arrestuari është shtetasi me iniciale A. H. (H), 27 vjeç, banues në Tiranë. Atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e llojit cannabis.
Bashkë me 27-vjeçarin, u procedua penalisht edhe shtetasi R. L. Atij iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike, të cilën e kishte blerë pak çaste më parë nga i arrestuari.
Fokusi i operacionit
Policia e Shtetit bëri me dije se ky aksion vjen në vijim të planit të masave për goditjen e fenomenit të shpërndarjes së drogës në pikat nevralgjike të qytetit.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ kanë shtuar kontrollet me qëllim evidentimin e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht në afërsi të shkollave dhe lokaleve,” njoftuan zyrtarisht autoritetet.
Materialet procedurale i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me hetimet e mëtejshme për këtë rast.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




