Tragjedia e Koçanit, Fetai për RTSH24: Klubi kishte falsifikuar licencën, korrupsioni po kushton jetë njerëzish

Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, theksoi se qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë masa të menjëhershme për të siguruar që tragjedia e rëndë që ndodhi në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe 107 të tjerë u plagosën, të mos përsëritet më.
Në një intervistë për RTSH 24, zv.kryeministri Fetai u shpreh se është ngritur një task-forcë për të inspektuar klubet e natës, ku është zbuluar se shumë prej tyre veprojnë ilegalisht dhe nuk kanë licenca të rregullta. Ai tha se nga inspektimi 15 klube nate janë mbyllur, ndërsa hetimet kanë treguar se dhe klubi i natës ku ndodhi tragjedia e Koçani licenca u mor duke shkelur rregullat ligjore.
“Në drejtim të sigurisë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më janë marrë disa masa. Urdhëruam inspektoratin e tregut dhe task-forcën që është themeluar për adresimin e pasojave të kësaj tragjedie që të bëjnë inspektimeve të gjitha klubeve të natë. Nga raportimi gjetëm dy gjëra: e para që shumë pak biznese që janë veprojnë si klube nate janë të regjistruara si të tilla dhe vetëm gjysma e tyre kishte licenca. Të tjerat funksionin ilegalisht pa kritere dhe pa licencë. Edhe në tragjedinë që ndodhi në Koçan licenca u mor duke shkelur rregullat ligjore dhe mendohet se mund të ketë falsifikime të tjera që po hetohen nga task-forca. Sot mbyllmë 15 klube nate dhe do të vijojmë me hetimin e rasteve të tilla”, tha Fetai.
Fetai theksoi se korrupsioni ka arritur një shkallë epidemike në Maqedoninë e Veriut dhe se tragjedia e Koçanit është pasojë e përhapjes së korrupsionit, ku disa individë përfitojnë në dëm të ligjshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve. Për të mbështetur familjet e të plagosurve, qeveria ka alokuar një fond prej 500 mijë euro, dhe ka bashkëpunuar me Kryqin e Kuq për të ofruar ndihmë shtesë.
“Korrupsioni me të cilën përballet Maqedonia ka arritur një shkallë epidemike. Janë falsifikuar dokumente për t’i mundësuar dikujt që të fitojë në dëm të ligjeve dhe sot kemi arritur një pikë ku korrupsioni po kushton jetën e njerëzve dhe jetën e të rinjve ku e fundit ishte tragjedia e Koçanit. Kjo vetëm për të mbushur xhepat e disa njerëzve. Përtej masave emergjente kemi nisur mocion për shkarkimin e kryeprokurorit të vendit që ka humbur legjitimitetin dhe kredibilitetin dhe të njëjtën po bëjmë dhe me këshillin gjyqësor të vendit që duhet të disiplinojë dhe marrë masa për punën e gjyqtarëve por përkundrazi është bërë pjesë e lojës politike duke goditur gjyqtarë të caktuar. Shumë shpejt institucionet e drejtësisë do te reformohen dhe kthejmë besimin e qytetarëve.
Kemi alokuar një fond prej 500 mijë euro për familjet e të plagosurve. Ky fond ishte nga rezervat shtetërore iu dhanë familjeve për mjekimin e tyre jashtë. Kjo ishte si fazë e parë dhe nëse ka nevojë kjo shumë do të rritet dhe familjet të mos përballen me kostot e qëndrimit jashtë vendit për shërimin të dashurve të tyre. Një tjetër fond ishte edhe donacionet në bashkëpunim me kryqin e Kuq në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai.
Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjithashtu falënderoi partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë për solidaritetin e treguar. Fetai falënderoi edhe Shqipërinë për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar me mjekimin e të lënduarve dhe me rritjen e kapaciteteve mjekësore për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie.
“Kemi dërguar disa të lënduar në shtete të tjera dhe jemi munduar që të vijmë në ndihmë si qeveri me të gjitha mjetet. Falënderoj Shqipërinë për gatishmërinë e treguar lidhur me tragjedinë për të na dalë në ndihmë me mjekimin e të lënduarve dhe për të përballuar këtë tragjedi me rritjen e kapaciteteve mjekësore. Solidarizimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe me ndihmë konkrete dhe koordinimi bëhet në nivel të qeverisë ku u krijua një shtab krize dhe komunikimet kalojnë përmes këtij kanali me shtetet e BE dhe ato të rajonit. Kemi transferuar pacientë drejt spitaleve të rajonit dhe të BE-së dhe falënderoj të gjithë aleatët dhe partnerët tonë për solidaritetin e jashtëzakonshëm që është bërë këto ditë”, tha ai.
Në tragjedinë e Koçanit humbën jetën 59 të rinj dhe u plagosën 107 të rinj, pas zjarrit që ra në një klub nate. Nga të plagosurit 101 janë dërguar për trajtim dhe mjekim jashtë vendit, kryesisht në vendet e rajonit dhe ato të BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




