Serbia në grevë, protestat për tragjedinë në Novi-Sad përfshijnë gjithë vendin

Në Beograd, mijëra të rinj, si edhe nxënës të shkollave të mesme, mbushën rrugët e kryeqytetit serb këtë të premte, duke i kërkuar popullit që t’i bashkohet një greve të përgjithshme.
Mësuesit dhe punonjësit shëndetësorë iu përgjigjën thirrjes. Protestuesit bllokuan rrugët e Beogradit dhe shumë qyteteve të tjera, ndërsa policia në Novi-Sad arrestoi përfaqësues të opozitës, pasi e bllokuan autostradën e qytetit.
Thirrja për grevë ishte më e fundit nga lëvizja studentore, që synon të rrisë presionin ndaj qeverisë pas kërkesave për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe thirrjeve për transparencë në hetimin e tragjedisë së 1 nëntorit në stacionin hekurudhor të Novi-Sadit.
Për ngjarjen që ndodhi pak kohë pas përfundimit të rinovimit të stacionit, protestuesit fajësojnë mbikëqyrjen e dobët të projektit dhe korrupsionin.
Kjo grevë përkoi me protestat e mbajtura çdo të premte, kur studentët bllokojnë rrugët anembanë Serbisë në orën 11:52, koha kur u shemb streha e stacionit hekurudhor dhe mbajnë 15 minuta heshtje në nderim të 15 viktimave.
Studentët, që janë drejtuesit e kësaj lëvizjeje, prej gati tre muajsh kanë bllokuar kampuset universitare në të gjithë vendin.
Pavarësisht rritjes së presionit kundër qeverisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç zhvilloi një takim me mbështetësit në qytetin e Jagodinës.
Vuçiç dhe qeveria serbe thonë se tashmë kanë përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve duke publikuar dokumentet për projektin e rinovimit të stacionit.
Ata akuzojnë vazhdimisht protestuesit se mbështeten nga fuqitë e huaja.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





