Pas masakrës në Cetinjë, edhe sot tubim në heshtje. Ngushëllon Papa Françesku

Rajon | 2 vite më parë

Në Mal të Zi është mbajtur një tjetër tubim për nder të 12 qytetarëve të mbetur viktima më 1 janar, mes tyre edhe dy fëmijë.

Masakra ndodhi në qytetin e Cetinjës, aty ku edhe të dielën në orën 17:26 filloi marshimi qytetar i shoqëruar nga një heshtje 12-minutësh, 1 minutë për secilin prej të ndjerëve. Pas 12 minutave, shokët e dy djemve të vrarë ndezën pishtarë të kuq.

Edhe Papa Françesku shprehu ngushëllimet për viktimat.

“Thellësisht i hidhëruar nga lajmi tragjik për vrasjet në qytetin e Cetinjës. Ati i Shenjtë u përcjell ngushëllimet e tij të sinqerta të gjithë atyre që janë prekur nga ky akt dhune i pamëshirë,” thuhet në telegramin drejtuar argjipeshkvit të Kishës Katolike, imzot Rrok Gjonlleshajt, nga sekretari i Papa Françeskut, Pietro Paolini.

Autori i dyshuar Aco Martinoviç i kreu vrasjet brenda gjysmë ore në pesë vendndodhje të ndryshme, para se t’i jepte fund edhe jetës së tij. 45-vjeçari e hapi zjarrin e parë me armë në një restorant, ndërsa policisë iu deshën rreth gjashtë orë për ta lokalizuar.

Pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Danilo Saranoviq, dhe të zv.kryeministrit Aleksa Beçiq. Ndër kërkesat e tjera janë edhe çmilitarizimi i shoqërisë, konfiskimi i armëve, ndryshimi i qasjes së policisë ndaj qytetarëve dhe rikthimi i edukimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkolla.

Kryetari i bashkisë së Cetinjës ka kërkuar edhe mbledhjen e parlamentit vendor për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme dhe çfarë dështoi në sektorin e sigurisë.

Më 3 janar, Këshilli malazez i Sigurisë Kombëtare njoftoi shtrëngim të masave për posedimin e armëve.

Pas tubimit në Cetinjë, edhe në Podgoricë u zhvillua një tubim-protestë para godinës së Ministrisë së Brendshme, i kryesuar nga një grup studentor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme