Tragjedia në Koçan, mijëra protestues në Shkup kërkojnë drejtësi nga autoritetet

Rajon | 2 vite më parë

Mijëra protestues marshuan në Shkup, për të kërkuar më shumë përgjegjësi pas tragjedisë së zjarrit në një klub nate në qytetin Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Demonstruesit marshuan pranë zyrave qeveritare dhe parlamentit, duke duartrokitur stafin mjekësor që mori pjesë në kujdesin për të plagosurit.

Protesta u organizua nga Lëvizja Civile “Kush është i radhës”, e cila e nisi marshin me një minutë heshtje për viktimat e tragjedisë, duke vendosur lule dhe ndezur qirinj në nder të jetëve të humbura.

Milena Janevska, organizatore e protestës, deklaroi se qytetarët kërkojnë siguri dhe drejtësi, duke shtuar se “ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi të mbajnë llogari”.

Përballë këtij zemërimi të publikut, kryeministri Hristijan Mickoski pranoi shqetësimin e qytetarëve, por i quajti kritikët e tij “shkaba politike” që synojnë të dobësojnë qeverinë. Opozita, ndërkohë, kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm Panče Toshkovski, duke kritikuar menaxhimin e katastrofës.

Zjarri shpërtheu më 16 mars gjatë një feste në klubin nate në Koçan, ku autoritetet kanë zbuluar se mungonin masat e nevojshme të sigurisë, përfshirë përdorimin e fishekzjarrëve që shkaktuan flakët.

Hetimet për zjarrin kanë çuar në 13 arrestime, përfshirë ish-ministrin e financave dhe shtatë oficerë të lartë të policisë. Autoritetet po hetojnë mundësinë e ryshfetit dhe nëse klubet e natës operonin në mënyrë të paligjshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme