Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: UNMIK është kthyer në pengesë për të vërtetën, Serbia të dorëzojë Radoiçiqin

Gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, vuri theksin te roli i Kosovës si një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme, me orientim të qartë drejt integrimeve euroatlantike.
Por ndërsa sqaroi pozicionimin dhe fokusin e Kosovës, Gërvalla ndau shqetësimin se nga ana tjetër, Serbia vijon qëndrimet destabilizuese.
“Kosova është një demokraci e re dhe e fuqishme, që përpiqet të sigurojë paqe dhe zhvillim për qytetarët e saj, duke synuar anëtarësimin në BE dhe NATO. Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të tentojë të destabilizojë këtë proces, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe me veprime konkrete dhe të dhunshme që rrezikojnë stabilitetin në rajon,” deklaroi Gërvalla.
Ministrja po ashtu u ndal te sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, duke e cilësuar si një akt të drejtpërdrejtë të agresionit, i realizuar sipas saj nga një grup paramilitar i mbështetur dhe financuar nga autoritetet serbe.
Në këtë kuadër, ajo kritikoi raportimin e UNMIK-ut, duke e konsideruar si të njëanshëm dhe jo në përputhje me realitetin.
“Sulmi në Banjskë ka qenë një akt i hapur agresioni ndaj Kosovës, i realizuar nga një grup paramilitar, i cili kishte trajnim dhe mbështetje logjistike të siguruara nga Serbia. Ta quash këtë një ‘incident serioz sigurie’, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte.
UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” deklaroi Gërvalla.
Zv.kryeministrja ka bërë më tej thirrje të fuqishme për drejtësi, duke kërkuar nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në grupet terroriste, si dhe ndalimin e mbështetjes shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë.
Në përmbyllje të fjalës, Gërvalla theksoi se Kosova është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është një model stabiliteti për rajonin. Megjithatë, ajo theksoi se pa drejtësi të plotë dhe pa një emërtim të saktë të krimeve të luftës dhe të terrorizmit, paqja në rajon do të mbetet e brishtë.
“Paqja do të jetë e brishtë derisa të mos ketë drejtësi dhe të mos ndodhin përpjekje të sinqerta për ndëshkimin e krimeve“, përfundoi Gërvalla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




