Mbështetësit e Vucic, miting në Beograd. Opozita në Novi-Pazar kundër korrupsionit
Duke kënduar këngë patriotike, mijëra mbështetës të presidentit serb Aleksandar Vucic u mblodhën të premten në qendër të Beogradit, një ditë para mbajtjes së atij që autoritetet thonë se do të jetë mitingu më i madh i mbajtur ndonjëherë në mbështetje të presidentit.
Mitingu i së shtunës pritet të jetë një moment thelbësor në krizën politike, që po vijon prej pesë muajsh në vendin ballkanik, ku janë mbajtur protesta masive të drejtuara nga studentët për shkak të shembjes në datën 1 nëntor të vitit të shkuar të strehës së stacionit hekurudhor të Novi-Sadit, ku humbën jetën 15 persona.
Në qendër të kryeqytetit, para parlamentit u ngritën dhjetëra tenda për të strehuar mbështetësit e presidentit nga pjesë të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, në pikat e kalimit të së cilës me Serbinë këtë mëngjes u panë radhë të gjata me automjete dhe autobusë.
Për protestat studentore, Vucic dhe aleatët e tij pretendojnë se autorë janë shërbimet e inteligjencës perëndimore, që synojnë ta rrëzojnë nga pushteti duke orkestruar të ashtuquajturin revolucion ngjyrash.
“Serbia është ngritur kundër rezistencës së atyre që duan ta shkatërrojnë dhe do të fitojmë,” u shpreh të premten Vucic para mbështetësve të tij.
Studentët, profesorët, por edhe gazetarët që kanë mbuluar protestat studentore, madje edhe prokurorët që refuzojnë nisjen e procedimeve ndaj tyre, Vucic i ka paralajmëruar për ndjekje penale.
Ndërkaq mijëra mbështetës të opozitës mblidhen këtë të shtunë në qytezën jugore të Novi-Pazarit, pasi shumë prej tyre kanë udhëtuar në këmbë apo me biçikleta për të marrë pjesë në protestën kundër korrupsionit dhe për liritë demokratike.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





