Osmani me raportuesin Terras, kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Rajon | 11 muaj më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një takim me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ku u diskutua për zhvillimet politike dhe proceset integruese të vendit.

Në fillim të takimit, Presidentja Osmani vlerësoi ecurinë e zgjedhjeve të fundit lokale, duke theksuar se ato u mbajtën në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike. Ajo nënvizoi se transferimi i pushtetit midis institucioneve lokale u realizua paqësisht, duke dëshmuar pjekuri politike dhe institucionale.

Presidentja shprehu shqetësim për vazhdimin e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme. Ajo rikujtoi se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kërkesat e paraqitura nga partnerët evropianë dhe se masat aktuale dëmtojnë qytetarët si dhe minojnë besimin në procesin e integrimit.

Në këtë drejtim, Osmani kërkoi mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të masave, duke e konsideruar një hap të domosdoshëm për rikthimin e besimit dhe për përshpejtimin e reformave.

Presidentja theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të procedohet pa vonesa të mëtejshme, duke u bazuar në parimin e meritokracisë. Ajo theksoi se Kosova meriton përparim në rrugën e integrimit, duke pasur parasysh rezultatet dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara.

Gjatë bashkëbisedimit, Osmani prezantoi një sërë të dhënash nga institucione ndërkombëtare që e rendisin Kosovën lart në fusha të ndryshme kyçe, duke nënvizuar progresin e qëndrueshëm të vendit në kompetencë institucionale, sundim të ligjit dhe indikatorë ekonomikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme