Zjarret në të gjithë vendin, “lufta” me flakët vijon në Krujë, Kurbin, Mallakastër e Priskë. Nufi: Vatrat nën kontroll, s’ka rrezik për zonat e banuara

Aktualitet | 2 muaj më parë

Forcat operacionale vijojnë të jenë në terren për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka publikuar pamje nga puna e forcave në terren, duke evidentuar angazhimin e tyre në përballimin e situatës.

Në fokus të ndërhyrjeve kanë qenë disa zona, mes tyre Kruja, Kurbini, Mallakastra dhe Priska, ku efektivët kanë punuar për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.

Në disa raste, për shkak të terrenit dhe përhapjes së zjarrit, është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopteri ushtarak është angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve, veçanërisht në zonat ku ndërhyrja nga toka paraqitet më e vështirë si në Krujë dhe Priskë.

Ministri Nufi ka ndarë pamje nga “lufta” me flakët, duke vlerësuar punën e efektivëve që ndodhen në vijën e parë të përballimit të zjarreve. Sipas ministrit, të gjitha vatrat aktive po monitorohen dhe aktualisht janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe zonat e banuara.

“Momente të ditës nga angazhimi në terren dhe intensiv i forcave tona operacionale për menaxhimin e vatrave të ndryshme të zjarrit. Krenarë për secilin prej tyre, të cilët me një sakrificë të jashtëzakonshme dhe në gatishmëri të plotë janë në vijën e parë të përballimit të situatave të zjarrit – krah qytetarëve, komuniteteve të prekura dhe në mbrojtje të bizneseve dhe mjedisit. Në të gjitha vatrat aktive vijon monitorimi i plotë, janë nën kontroll, dhe fatmirësisht nuk kemi rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe zonat e banuara”, shkruan Nufi.

Forcat e angazhuara në terren vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen, me qëllim parandalimin e riaktivizimit apo përhapjes së flakëve në zona të tjera.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme