“Fest Folk 2026” në Gjirokastër, këngë, valle dhe kostume tradicionale për të sjellë në skenë pasurinë e folklorit

Kulturë | 2 muaj më parë

Gjirokastra u bë skenë e folklorit shqiptar. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve solli koncertin “Fest Folk 2026”, duke përcjellë përmes këngës, valles dhe kostumeve tradicionale ngjyrat dhe pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.

“Është një maratonë të cilën ne e kemi nisur nga qyteti i Sarandës. Kemi qenë në qytetin e Laçit, sonte jemi në Gjirokastër, nesër do të jemi në Vlorë, në Fier, në Berat, me radhë, pra në të gjitha qytetet. Le të themi në qytetet turistike, aty ku ka publik, aty ku ka turistë të shumë pasi është edhe qëllimi jonë që Ansambli, artistët të bëhen një, të bashkohen”, tha Sokol Marsi, Drejtori i Ansamblit.

“Është një kolazh i veriut ku nuk është vetëm një valle, por janë disa valle bashkë. Në një moment është një kolazh i Shqipërisë së Mesme dhe sigurisht nuk mund të mungonte dhe kolazhi i jugut ku pjesë e atij kolazhi është edhe vallja e Osman Takës”, u shpreh Gensi Kastrati, koreograf i Ansamblit.

Një mbrëmje që bashkoi artdashës, banorë e turistë, duke sjellë në skenë traditat e trevave shqiptare dhe duke dëshmuar rëndësinë e ruajtjes e transmetimit të tyre te brezat e rinj.

“Çdo vit që vijmë këtu është një atmosferë shumë e bukur. Njerëzit janë të dashur, e duan çdo lloj kënge”, tha këngëtarja Iris Bega.

“Performancat e mia kryesisht janë nga jugu. Këngët që do të këndoj për publikun si vendas, po ashtu edhe të huaj do të jenë ato të jugut, kryesisht të zonës së Vlorës”, u shpreh këngëtarja Malvina Alikaj.

Këngët dhe vallet, të shoqëruara me ritmet tradicionale, krijuan një atmosferë të veçantë, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë të trevave shqiptare. Një festë e traditës, kulturës dhe trashëgimisë sonë, që bashkoi artistë, banorë e turistë.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme