Mirditë/ Ekzekutohet brenda mjetit të tij Viktor Bardhi, makina e autorëve gjendet e djegur! I vranë vëllanë në 2023
Ekzekutohet me armë zjarri Viktor Bardhi në Mirditë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Ndërfushas, ku 65-vjeçari është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij.
Sipas të dhënave paraprake, Bardhi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja. Burimet për RTSH 24 bëjnë me dije se automjeti që dyshohet se është përdorur prej autorëve është gjetur më pas i djegur nga efektivët.
“Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja rikthen në vëmendje historinë e familjes Bardhi. Në vitin 2023, vëllai i Viktorit, Martin Bardhi, u ekzekutua me armë zjarri në Rrëshen. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi në ambientet e jashtme të lokalit të tij, në një ngjarje që në atë kohë u shoqërua me dyshime për konflikte të mëparshme dhe hakmarrje.
Për shkak të historisë së mëparshme, një nga pistat që pritet të verifikohet nga hetuesit është ajo e hakmarrjes dhe një lidhje e mundshme mes dy ngjarjeve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ndërsa veprimet po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




