Fasadat e reja në Tiranë/Bashkia shton fondin për pallatet, përfitimet nga rritja e vlerës së pronës, tek kursimi i energjisë

Sociale | 1 orë më parë

Me rritjen e kërkesës nga banorët për rifreskimin e fasadës së pallateve Bashkia e Tiranës ka rritur fondin e aplikimeve, si dhe ka lehtësuar proceduarat për dorëzimin e dokumenteve. Zgjedhja e një administratori është kriter kryesor për vijimin e aplikimit të sistemit kapot, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, theksohet nga Drejtoria e objekteve në bashkëpronësi.

“Të gjithë banorët të cilët janë të interesuar për të vendosur një sistem kapot, mjafton që të kenë kryesinë dhe administratorin dhe më pas të aplikojnë në Bashkinë e Tiranës për vendosjen e sistemit kapot. Fasada ndryshon në rast se vendoset sistemi kapot. Nëse banorët duan të vendosin sistemin kapot, aplikojnë nëpërmjet një projekti dhe, në këtë projekt, banorët zgjedhin vetë ndërtuesin ose operatorin i cili do të realizojë sistemin kapot. Në rast se materialet nuk janë të certifikuara kundër zjarrit, atëherë projekti skualifikohet”, u shpreh Dritan Dango, Drejtor i Objekteve në Bashkëpronësi.

Drejtori Dritan Dango sqaron edhe cilët janë përfitues në masën 100 për qind financim nga Bashkia e Tiranës.

“Nëse në atë pallat ka pensionistë ose banorë të cilët përfitojnë ndihmë sociale, kjo rimbursohet 100% nga Bashkia e Tiranës. Por gjithmonë duhet të theksojmë që pensionisti duhet ta vërtetojë këtë dhe duhet të jetë i vetëm në certifikatën e pronësisë. Nëse figuron me fëmijët dhe fëmijët rezultojnë se marrin rrogë, pra kanë pagesa të sigurimeve shoqërore, atëherë supozohet që ata kanë të ardhura.Pra, kjo vlen për pensionistët të cilët janë të vetëm”, tha ai.

Interesi më i lartë është ai për pallatet pas viteve 90’ deri në 2006, të cilat përfshijnë edhe disa nga zonat më të populluara të Tiranës.

“Njësia numër 5, për shembull, zona e Komunës së Parisit, ka pallate të cilat janë ndërtuar nga vitet ’90 deri në vitet 2000–2005. Janë me një sistem fasade shumë të vjetër dhe të gjitha pallatet kanë ardhur dhe kanë aplikuar. Shumica e pallateve kanë dalë fituese dhe kanë aplikuar për të rifreskuar sistemin e fasadës që kanë, duke e realizuar me sistem kapot. Patjetër që ka edhe në Njësinë 8, në Njësinë 9, në Njësinë 3 dhe në Njësinë 4, të cilat janë zona që kanë pallate parafabrikate, siç mund të themi, apo pallate të vjetra, ku edhe atje interesi është shumë i madh”, theksoi Dango.

Fondi i komunitetit mbetet një mundësi e mirë për të gjithë banorët e interesuar, investim që ndikon jo vetëm në rritjen e vlerës së pronës por edhe në kursimin e energjisë.

Gazetare: E.Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme