Nga monitorimi i buxhetit te rregullat fiskale, ”merr jetë” Këshilli Fiskal. Ja si do të funksionojë

Shqipëria do të ketë një Këshill Fiskal të pavarur, që do të monitorojë politikën fiskale, rregullat buxhetore dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Institucioni do t’i raportojë drejtpërdrejt Kuvendit dhe nuk do të ketë rol në hartimin e politikave fiskale të qeverisë.
Pr.ligji, i miratuar në mbledhjen e qeverisë, përcakton kufijtë e kompetencave të Këshillit Fiskal. Institucioni nuk do të marrë pjesë në hartimin apo formulimin e politikave fiskale dhe buxhetore të qeverisë dhe nuk do të ketë funksione ekzekutive që i takojnë Ministrisë së Financave apo institucioneve të tjera.
Këshilli do të analizojë dhe vlerësojë politikat dhe dokumentet fiskale, por nuk do të jetë ai që i harton ato. Një nga kompetencat më të rëndësishme të Këshillit Fiskal lidhet me projektbuxhetin e shtetit.
Ministria përgjegjëse për financat do të duhet t’i dërgojë Këshillit Fiskal dokumentet dhe materialet përkatëse përpara se projektbuxheti apo kuadri makroekonomik e fiskal afatmesëm të paraqitet për miratim. Nëse opinioni i Këshillit Fiskal përmban vërejtje negative, Ministria e Financave do të duhet të përgatisë një relacion shpjegues ku të argumentojë arsyet e devijimeve nga vlerësimet e Këshillit.
Këshilli do të përbëhet nga 3 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi me shumicën e më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve. Mandati do të jetë 6 vjet, me mundësi riemërimi vetëm një herë. Përbërja e parë do të ketë mandate 6, 5 dhe 4-vjeçare, të përcaktuara me short.
Anëtarët duhet të kenë të paktën 10 vite përvojë në financat publike, makroekonomi ose kërkim shkencor në ekonomi dhe duhet të jenë të pavarur politikisht.
Tre anëtarët e Këshillit Fiskal do të zgjedhin mes tyre kryetarin. Mandati i kryetarit do të jetë dyvjeçar dhe do të funksionojë me rotacion.
Çdo vit Këshilli duhet të paraqesë në Kuvend raportin vjetor për veprimtarinë e tij gjatë vitit paraardhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





