Përgatitja e tokës për mbjellje/Gruri dhe thekra, kulturat bujqësore kryesore në Kukës

Bujqësi | 1 orë më parë

Është periudha e përshtatshme për përgatitjen e tokës për mbjelljet sezonale. Pas reshjeve të fundit të shiut, fermerët në zonën e Kukësit kanë nisur punimet për përgatitjen e tokave, me synimin për të siguruar prodhim të mbarë në sezonin e ardhshëm.

“Kemi pritur me shumë ankth ne si fermerë, pasi ishte një vjeshtë shumë e thatë. Për momentin, jemi në kohën më optimale për mbjellje. Presim vetëm reshjet, të cilat do të na favorizojnë dhe do të krijojnë kushtet e përshtatshme teknike për të filluar mbjelljen”, u shpreh fermeri, Haki Elezi.

Haki Elezi është një prej fermerëve që po punon tokën e tij, duke përgatitur sipërfaqet bujqësore për mbjelljen e grurit. Ai ka në dispozicion rreth 20 dynymë tokë, të cilat synon t’i mbjellë këtë sezon, duke shpresuar të përsërisë rezultatet pozitive të vitit të kaluar, kur prodhimi ishte i bollshëm.

“Unë do të mbjell rreth 22 dynymë, njësoj si vitin e kaluar. Pra, synoj t’i mbjell të gjitha. Vitin e kaluar isha shumë i kënaqur, pavarësisht se kushtet atmosferike nuk ishin të njëjta me ato të këtij viti. Vjet pata një prodhim shumë të mbarë”, tha ai.

Krahas grurit, kjo periudhë është e përshtatshme edhe për mbjelljen e thekrës dhe tërshërës, kultura që zënë një vend të rëndësishëm në aktivitetin bujqësor të zonës. Përgatitja në kohë e tokës dhe kushtet atmosferike janë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e mbjelljeve.

“Koha optimale është për thekrën, pasi thekra ka një cikël më të gjatë zhvillimi dhe duhet të mbillet pak më herët. Gjithashtu, mbillet gruri dhe tërshëra e vjeshtës. Këto janë tri kulturat që mbillen në këtë periudhë, pasi tani është sezoni i tyre”, theksoi fermeri.

Ndërkohë, fermerët shpresojnë që reshjet e shiut të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Pas një vere të karakterizuar nga thatësira të zgjatura, toka ka nevojë për më shumë lagështi, e cila ndihmon në përgatitjen e saj dhe krijon kushte më të favorshme për mbjelljet sezonale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme