Hapen 90 km kanale kulluese në Shkodër, Bashkia dhe Bordi i Kullimit i paraprijnë sezonit të reshjeve

Sociale | 2 orë më parë

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, po i paraprin sezonit të reshjeve dhe dimrit përmes ndërhyrjeve për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese.

“Ecuria ka qenë shumë e kënaqshme, me rezultate shumë pozitive. Edhe Bordi i Kullimit na është përgjigjur në kohë, ndërsa Bashkia e Shkodrës ka qenë shumë e angazhuar, në mënyrë që fillimi i sezonit të reshjeve të mos na gjejë të papërgatitur. Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, po i paraprin sezonit të reshjeve dhe dimrit përmes ndërhyrjeve për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese”, u shpreh Xhavit Pëllumbi, Specialist i bujqësisë, Bashkia Shkodër.

Specialisti i bujqësisë në Bashkinë Shkodër, Xhavit Pëllumbi, thotë se deri tani janë hapur 90 kilometra kanale, ndërsa apelon për kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre nga vetë banorët.

“Bashkia e Shkodrës, duke pasur si prioritet pastrimin e kanaleve kulluese, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit të Lezhës, ka bërë të mundur pastrimin e rreth 90 kilometrave kanale gjatë gjithë vitit, deri në këto momente. Me këtë rast, u bëj thirrje edhe fermerëve të zonës së Shkodrës që të bashkëpunojnë më shumë dhe të mos hedhin mbeturina në kanalet kulluese, në mënyrë që këtë punë të mirë që po bëjmë të mos e prishim me duart tona”, tha Pëllumbi.

Ndërhyrjet në kanalet kulluese synojnë të minimizojnë rrezikun e përmbytjeve gjatë muajve me reshje të shumta. Puna është përqendruar në Trush, Obot dhe Dajç. Por mirëmbajtja e tyre mbetet një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe komunitetit.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme