“Dënim pa ligj, si në komunizëm”, Korreshi dhe Himçi kundërshtojnë masat ndaj Bardhit dhe Balliut

Politikë | 46 minuta më parë

Deputetët e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, kanë kundërshtuar kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas incidenteve të regjistruara në seancën plenare të Kuvendit. Në qëndrimin e tyre në Këshillin e Etikës, dy deputetët demokratë e cilësojnë kërkesën të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Kuvendit, duke argumentuar se masa disiplinore duhet të jetë në përputhje me shkeljen konkrete të pretenduar.

Në dokumentin e paraqitur nga Korreshi dhe Himçi, pasqyrohen fillimisht pretendimet e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, sipas të cilit gjatë seancës plenare janë regjistruar incidente të rënda, të shoqëruara me fyerje, provokime dhe veprime që kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Sa i përket deputetit Gazment Bardhi, kërkesa e socialistëve pretendon se ai u është drejtuar me fjalë fyese dhe denigruese drejtuesve të lartë të shtetit dhe deputetëve të Partisë Socialiste, si dhe ka qëlluar disa herë me shishe uji në drejtim të tyre.

Ndërsa për deputetin Klevis Balliu, socialistët pretendojnë se ai ka hedhur vezë në drejtim të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, si dhe ka përdorur një pajisje zhurmuese në sallë, duke penguar vijimin normal të punimeve parlamentare.

Në përfundim të kërkesës së tyre, deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar masa disiplinore ndaj të dy deputetëve të opozitës, duke i cilësuar veprimet e pretenduara si të përsëritura, të dhunshme dhe të qëllimshme.

Në qëndrimin e tyre, Korreshi dhe Himçi kundërshtojnë atë që e konsiderojnë një përpjekje për vendosjen e një mase disiplinore pa klasifikimin e duhur ligjor të shkeljes së pretenduar.

“Dënimet jashtë këtyre shkeljeve, apo sanksioni jashtëparashikimit të bërë për veprimin konkret, klasifikohet si ‘dënim pa ligj’, si në kohën e komunizmit”, thuhet në qëndrimin e dy deputetëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Etikës. Ata argumentojnë se kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk ka bërë klasifikimin e duhur të shkeljeve dhe të sanksioneve, duke iu referuar veprimeve të përshkruara dhe pamjeve që, sipas dokumentit, shoqërojnë kërkesën.

Në përfundim, Korreshi dhe Himçi kërkojnë rrëzimin e kërkesës së socialistëve, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Kuvendit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme