Rakia artizanale, traditë që trashëgohet brez pas brezi në Gjirokastër

Aktualitet | 1 orë më parë

Në Anton Poçi, aroma e rrushit të fermentuar shënon nisjen e një tjetër sezoni të prodhimit të rakisë. Spiro Basho vijon të mbajë gjallë një traditë të hershme, duke e përgatitur atë në mënyrë artizanale, sipas metodave të trashëguara ndër breza.

Pas vjeljes së rrushit dhe fermentimit të tij për disa ditë, gjithçka është gati për të nisur procesin e distilimit.

““Kam një vresht, një dynym tokë. E kam me rrush të zi dhe mbledh sa për veten time, edhe sa për njerëzit e mi. Rrushi vilet i paralajmëruar nga bleta. Po vajti bleta te rrushi për ta ngrënë, atëherë do të thotë që është pjekur. Sepse ka pjekje teknike, por ka edhe pjekje të plotë. E vjelim rrushin, e hedhim në këta bidona. E trazojmë dy ose tre herë në ditë, për 10-12 ditë. Pastaj e mbyllim dhe më pas e nxjerrim në kazan me dru, primitiv siç thuash. Dhe nëse prodhimi i rakisë nis me rrushin, tradita e saj merr kuptim të plotë kur ajo vendoset në tryezë”

Nga rrushi, përmes një procesi të kujdesshëm përpunimi, Basho arrin të prodhojë lloje të ndryshme rakie. Për të, kjo nuk është thjesht një mënyrë për të përgatitur një pije tradicionale, por edhe një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe zakoneve që vazhdojnë të ruhen në zonë.

“Po, është e domosdoshme tani. Kjo ka qenë traditë prej shekujsh, nuk është diçka që ka lindur sot. Dëgjo, për moshën tonë, një gotë raki me një kafe në mëngjes vlen. Kam dëgjuar edhe këshillat e mjekëve tanë. Kur na vjen miku, atij do t’i nxjerrim të parën rakinë, ashtu siç ka qenë tradita

E nëse prodhimi i rakisë nis me rrushin, tradita e saj merr kuptim të plotë kur ajo vendoset në tryezë. Pritja e mikut me një gotë raki mbetet një zakon i rrënjosur në çdo shtëpi të fshatit, një shenjë mikpritjeje dhe respekti që vazhdon të përcillet nga një brez te tjetri.

Për Spiro Bashon, ruajtja e kësaj tradite do të thotë të mbajë gjallë jo vetëm mënyrën artizanale të prodhimit, por edhe një pjesë të identitetit dhe mikpritjes së vendit të tij.

Gazetare Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme