Ankimi për shkarkimin- Erion Veliaj mbërrin në Gjykatën Kushtetuese për seancën publike
Erion Veliaj ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese pas lënies së ambienteve të paraburgimit në Durrës, për të marrë pjesë në seancën plenare publike për ankimin e bërë nga vetë ai, kundër vendimit të kryeministrit për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe dekretit përkatës të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.
Kujtojmë se më herët, Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar zbatimin e këtij dekreti, në pritje të vendimit përfundimtar.
Veliaj ka kërkuar të jetë personalisht i pranishëm në seancën, e cila sipas njoftimit zyrtar do të jetë publike. Për këtë qëllim, është marrë miratimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas autorizimit me shkrim të SPAK.
Gjykata Kushtetuese ka dërguar më herët shkresën përkatëse, duke mundësuar pjesëmarrjen e tij në seancën e së premtes.
“Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, njoftoi Gjykata Kushtetuese tre ditë më parë në vendimin e saj.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
Kujtojmë se një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Qeveria i dërgoi më pas presidentit Bajram Begaj për dekretim datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit dhe kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




