Araghchi: Lufta dhe sanksionet nuk do të funksionojnë dhe ne jemi gati për një zgjidhje

Botë | 42 minuta më parë

Mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara dhe vazhdimit të sanksioneve ekonomike, Irani deklaron se është i gatshëm si për zgjidhje diplomatike, ashtu edhe për t’iu përgjigjur çdo veprimi ushtarak.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se lufta dhe sanksionet nuk do të arrijnë të gjunjëzojnë Iranin. Duke folur për mediat iraniane, ai tha se Teherani shpreson që Uashingtoni të zgjedhë rrugën e arsyes dhe dialogut, por paralajmëroi se vendi i tij është i përgatitur për çdo skenar.

“Nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin veprime ushtarake, ne jemi gati”, u shpreh Araqchi, duke shtuar se Irani do t’i përgjigjej çdo agresioni me një kundërpërgjigje edhe më të ashpër.

Megjithatë, kryediplomati iranian theksoi se vendi i tij vazhdon të preferojë një zgjidhje përmes negociatave. Sipas tij, mesazhi i Teheranit mbetet i qartë: Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje të drejtë përmes kanaleve diplomatike, duke mbrojtur njëkohësisht interesat dhe sigurinë e tij kombëtare.

Ndërkohë, çështja e Ngushticës së Hormuzit vijon të mbetet një pikë e nxehtë përplasjesh mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se kjo rrugë ujore strategjike do të vazhdojë të mbetet e mbyllur derisa të plotësohen kushtet e vendosura nga Teherani.

Ai la të kuptohej gjithashtu se SHBA-ja i ka përcjellë Iranit propozime të reja përmes ndërmjetësve, duke lënë të hapur mundësinë e rifillimit të negociatave.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se kontrolli i Ngushticës së Hormuzit nuk është në duart e Iranit, por të Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se presidenti Donald Trump po shqyrton të gjitha opsionet e mundshme në lidhje me krizën iraniane.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar që pas dështimit të marrëveshjes së armëpushimit të arritur në qershor, pas bisedimeve indirekte të zhvilluara në Islamabad. Edhe pse muajin e kaluar palët zhvilluan kontakte të reja përmes ndërmjetësimit të Katarit në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përpjekjet për një marrëveshje të re nuk kanë dhënë ende rezultat.

Sipas raportimeve, Teherani kishte paraqitur një plan shtatëditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por propozimi u refuzua nga Uashingtoni, duke lënë të hapur përplasjen diplomatike dhe strategjike mes dy vendeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme