Duka i jep titullin “Mirënjohje” ish-arbitrit Tef Prela, për kontributin e tij në arbitrimin shqiptar

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ka nderuar me titullin “Mirënjohje”, ish-arbitrin e njohur shqiptar, Tef Prela, për kontributin e tij të vyer në arbitrim, si anëtar i kolegjiumit të Shkodrës dhe si një prej gjyqtarëve të spikatur të futbollit shqiptar.
Tef Prela është një emër që lidhet me një periudhë të rëndësishme të historisë së arbitrimit në Shqipëri.
Ai iu afrua arbitrimit në vitin 1969 dhe brenda pak vitesh kaloi nga ndeshjet e fëmijëve, të rinjve dhe kategorisë së dytë, në skenën e Kategorisë së Parë.
Rreth 170 ndeshje të gjykuara në Kategorinë e Parë janë një dëshmi e qartë e jetëgjatësisë, përkushtimit dhe besimit që ai fitoi gjatë viteve në futbollin shqiptar.
Por karriera e tij nuk u kufizua vetëm brenda Shqipërisë. Tef Prela ka pasur edhe eksperiencë në arenën ndërkombëtare, duke gjykuar dy ndeshje europiane, një në Kupën e Kupave në vitin 1988 në Turqi dhe një tjetër në vitin 1990 në San Marino.
Edhe pas largimit nga Shqipëria dhe emigrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai vijoi të ishte pjesë e arbitrimit, duke gjykuar për tre vite, nga 1996 deri në 1998.
Gjatë ceremonisë së vlerësimit në “Shtëpinë e Futbollit”, Presidenti Duka theksoi rëndësinë e kontributit të Tef Prelës dhe të gjithë arbitrave që kanë qenë pjesë e historisë së futbollit shqiptar, duke vlerësuar rolin e tyre në zhvillimin e këtij sporti.
“Për mua është kënaqësi që sot nderojmë me mirënjohje një nga figurat e arbitrimit shqiptar, z. Tef Prela. Nëpërmjet vlerësimit, mirënjohjes që FSHF bën sot për z. Tef Prela, për të gjithë kontributin e tij në arbitrim, padyshim ne tregojmë mirënjohje për të gjithë ata që kanë vënë nga një gur në ndërtimin e kësaj shtëpie të futbollit shqiptar.
Arbitrat faktikisht nuk janë shpeshherë në qendër të duartrokitjeve, por pa arbitrat është e pamundur që kjo lojë të zhvillohet dhe të vijë në këto nivele ku jemi sot. Ne jemi koshient që kjo shtëpi është e përbërë nga futbollistë, trajnerë, drejtues, zyrtarë klubesh dhe arbitra, faktor i domosdoshëm për futbollin shqiptar.
I uroj z. Tef Prela një jetë të gjatë. E falënderoj për të gjithë kontributin. Ju ftoj të gjithë ju që ta ndiqni këtë shembull pozitiv të arbitrimit shqiptar dhe ta çoni akoma më tej stafetën e Tef Prelës dhe të gjithë kolegëve të tij në futbollin shqiptar”, – tha Presidenti Duka.
Përmes këtij vlerësimi, FSHF shpreh mirënjohjen për Tef Prelën dhe kontributin e tij ndër vite, duke nderuar një figurë që i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës futbollit shqiptar. Ky vlerësim është njëkohësisht mirënjohje për të gjithë arbitrat që, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, kanë ndihmuar në zhvillimin e futbollit në vend.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




