Në mbështetje të fëmijëve të ngujuar, krijohet fondacioni “Liljana Luani”, nisma vjen nga SHBA-ja

Sociale | 1 orë më parë

Për më shumë se dy dekada, mësuesja shkodrane Liljana Luani u është gjendur pranë fëmijëve dhe familjeve të ngujuara për shkak të gjakmarrjes, duke u ofruar mbështetje dhe mundësi për arsimim. Kontributi i saj, i vlerësuar edhe nga Presidenti i Republikës me titullin “Urdhri i Skënderbeut”, ka frymëzuar krijimin e një fondacioni me emrin e saj, me synimin për të vijuar këtë mision human dhe arsimor.

Fondacioni u prezantua në Shkodër nga themeluesja dhe presidentja e tij, Erjola Xheko, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila e sheh këtë nismë si një mënyrë për të nderuar punën e mësueses Luani, por edhe për ta kthyer atë në një përpjekje të vazhdueshme në mbështetje të fëmijëve në nevojë.

Erjola Xheko, themeluese e fondacionit “Misioni Liljana Luani”, u shpreh për RTSH:

“E njoh mësuese Lilianën prej 20 vitesh. Kemi punuar bashkë. Kemi pasur shpesh raste kur kemi sakrifikuar edhe në veri të Shqipërisë, por dashuria që mësuese Liliana ka për ata fëmijë më ka frymëzuar edhe mua sot që të jem këtu e të themelojmë së bashku këtë fondacion, i cili do të vazhdojë punën e mësuese Lilianës edhe më fuqishëm në zonën e Shkodrës.”

E emocionuar nga kjo nismë, Liljana Luani e konsideron krijimin e fondacionit jo vetëm si një vlerësim për punën e saj shumëvjeçare, por edhe si një shenjë të sensibilizimit të shoqërisë ndaj pasojave që shkakton fenomeni i ngujimit. Sipas saj, mbështetja e fëmijëve dhe mundësia për t’u arsimuar janë thelbësore për t’u dhënë atyre shpresë dhe një të ardhme më të mirë.

“Për mua, për fëmijët që unë trajtoj dhe për komunitetin me të cilin kam punuar prej 20 vitesh, kjo do të thotë shumë, sepse nëpërmjet këtij fondacioni përkrahja për këtë komunitet dhe për këta fëmijë futet në linja të drejta,” u shpreh Liljana Luani, mësuese e dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut”.

Edhe pse tashmë në pension, mësuesja Liljana Luani vijon të jetë aktive në ndihmë të këtyre familjeve, duke dëshmuar se përkushtimi i saj nuk është ndalur me përfundimin e karrierës profesionale.

Ndonëse numri i fëmijëve të ngujuar është në rënie të vazhdueshme, nevoja për mbështetje mbetet.

Përmes këtij fondacioni synohet që misioni i saj të vijojë, duke përfshirë më shumë njerëz në përpjekjet për arsimimin e fëmijëve dhe zbutjen e pasojave të gjakmarrjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme