Pas marrjes së kompetencave të Veliajt, nis aksioni i gjerë për pastrimin e Tiranës: Ndërhyrje në Bregun e Lumit dhe Urën e Kamzës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Pas ndryshimeve të fundit në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, strukturat vendore janë rikthyer në terren për të nisur një aksion të gjerë pastrimi dhe normalizimi të situatës në zonat më problematike të kryeqytetit pas përfundimit të sezonit veror.

Grupet e punës, të përbëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim-Gjelbërimit, Policia Bashkiake, “Eco Tirana” dhe ndërmarrje të tjera në varësi të bashkisë, kanë përqendruar ndërhyrjet në zonën e Bregut të Lumit, Babrrusë dhe Urës së Kamzës. Autoritetet vendore kanë theksuar se këto operacione nuk do të jenë të izoluara, por do të shtrihen në mënyrë të vazhdueshme.

“Këtu jemi tek zona e Bregut të Lumit, një nga zonat më problematike të Tiranës. Kemi disa ditë që po vazhdojmë me aksionin e pastrimit, së bashku edhe me ndërmarrjet e tjera të Bashkisë, bazuar në direktivat e kryetarit, për të ndërhyrë në të gjitha pikat problematike, në gjithë Tiranën,” sqaruan zyrtarët e bashkisë, duke shtuar se aksionet do të vijojnë çdo ditë.

Krahas angazhimit të institucioneve publike dhe mjeteve logjistike në terren, administrata bashkiake ka bërë thirrje për një reflektim të përbashkët dhe bashkëpunim më të ngushtë nga qytetarët, me qëllim ruajtjen e pastërtisë dhe përmirësimin afatgjatë të standardeve mjedisore në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme