Protesta/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thirrje për paqe dhe dialog: Shqetësimet e studentëve të dëgjohen

Aktualitet | 35 minuta më parë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate publike, duke bërë apel për paqe, drejtësi, përgjegjësi dhe dialog kombëtar, në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe tensione. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri theksojnë se shqetësimet e qytetarëve dhe të studentëve duhet të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

“Paqja është përgjegjësi e përbashkët. Drejtësia është detyrim. Respekti për njeriun është themeli që na bashkon”, thuhet në deklaratën e Këshillit Ndërfetar, i cili nënvizon se e ardhmja e vendit varet edhe nga vlerat që shoqëria u përcjell brezave të rinj.

Sipas Këshillit, Shqipëria ka nevojë për një shoqëri ku drejtësia të krijojë shpresë dhe bashkëjetesa të jetë një vlerë e trashëguar. Në deklaratë, Këshilli Ndërfetar thekson se paqja, drejtësia dhe përgjegjësia duhet të ecin së bashku, duke bërë dallimin mes së drejtës për të protestuar dhe përdorimit të dhunës.

“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, theksohet në reagim.

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare rikujtojnë se traditat fetare bashkohen në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve që ai përfaqëson. Këshilli nënvizon se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një vlerë themelore demokratike, por dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga pakënaqësitë apo qëllimet e protestuesve.

Një pjesë e veçantë e deklaratës i kushtohet pasojave të akteve të dhunës, të cilat, sipas Këshillit Ndërfetar, shkojnë përtej dëmit material dhe prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje; cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri”, thuhet në deklaratë.

Këshilli ndalet gjithashtu te respektimi i përfaqësive diplomatike dhe i simboleve të tyre, duke theksuar se cenimi i tyre prek parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

Përmes këtij qëndrimi, përfaqësuesit fetarë bëjnë thirrje që pakënaqësitë dhe kërkesat e qytetarëve të shprehen në mënyrë paqësore, pa dëmtuar pronën dhe pa rrezikuar sigurinë e të tjerëve. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë vlerëson se në situatën aktuale vendi ka nevojë për dialog dhe përgjegjësi nga të gjitha palët, në mënyrë që tensionet të mos përshkallëzohen më tej.

“Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, thuhet në deklaratë.

Sipas Këshillit, asnjë palë nuk duhet ta konsiderojë tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, ku të gjithë kanë të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përbashkëta. Në këtë drejtim, thirrja e përfaqësuesve fetarë u drejtohet si qytetarëve, ashtu edhe institucioneve, duke kërkuar që shqetësimet të dëgjohen, institucionet të japin përgjigje dhe drejtësia të garantohet.

“E ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore”, theksohet më tej.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme