Protesta masive në Beograd – Protestuesit kërkojnë drejtësi për tragjedinë e 1 nëntorit

Rajon | 2 vite më parë

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij. Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, ku më 1 nëntor  humbën jetën 15 persona.

Protesta në Beograd filloi me 15 minuta heshtje në nderim të viktimave. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit. Protestuesit kërkojnë që Presidenti serb dhe përgjegjësit për shembjen e strehës, të përballen me drejtësinë. Deri tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, dukë shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.

Duke sfiduar protestat në rritje, Vuçiç përuroi te dielën përfundimin e pjesës së një autostrade në Serbinë Qendrore. Ai tha se nuk do t’u nënshtrohet kërkesave të opozitës për një qeveri tranzitore, ndërsa akuzoi kundërshtarët e tij se po shfrytëzojnë studentët për të marrë pushtetin pa zgjedhje.

Partitë opozitare thonë se një qeveri e tillë do të mund të përgatiste zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mund të t’u jepte fund tensioneve politike. Protesta e së dielës ishte ndër më të mëdhatë në vitet e fundit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme