Rama informon presidenten e KE-së për projektin e Zvërnecit: Do të rrisim transparencën me publikun
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka informuar presidenten e Komisionit Evropian për ecurinë e projektit të madh të investimit në Zvërnec.
Në konferencën e përbashkët Rama theksoi se së shpejti do të finalizohet studimi i thelluar mjedisor, ndërkohë që qeveria po merr hapa konkretë për të rritur transparencën ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sipas kryeministrit, informimi i presidentes së Komisionit Evropian përfshin si përparimin e projektit, ashtu edhe masat e ndërmarra për ndërveprim më të hapur me publikun, duke përdorur mjetet e reja të teknologjisë.
“Dua të bëj me dije se e kam informuar presidenten qoftë për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes… ku tanimë së shpejti vjen studimi i thelluar mjedisor, po ndërkohë duke informuar hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së transparencës me publikun shqiptar dhe ndërveprimit të qeverisë përmes mjeteve të reja të teknologjisë. Do të ndezim pasqyrën e të gjithë dokumenteve dhe të gjithë procesit, gjithçkaje që është e shkruar e zeza mbi të bardhë, për projektin e shumëdiskutuar,” deklaroi Rama.
Sa i përket procesit të integrimit, kryeministri Edi Rama tha se se Shqipëria përgatitet të fillojë mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti.
“Besoj se përsëri edhe këtë herë në vizitën në Tiranë të presidentes dhe delegacionit të saj ka shumë përmbajtje pozitive në raport me objektivat e përbashkët që kemi.
Dua të konfirmoj edhe një herë publikisht vullnetin tonë të hekurt për të ecur përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve, përgatitemi për të filluar nga mbyllja e kapitujve, së shpejti, konkretisht para fundit të këtij viti dhe pastaj për të vazhduar intensivisht me një pjesë të konsiderueshme tanimë të hapur,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se vizita e Von der Leyen në Tiranë sjell përmbajtje pozitive për objektivat e përbashkëta dhe konfirmoi angazhimin e fortë të qeverisë shqiptare për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





