Rama prezanton “Flamingo Mirror”: Kemi nisur me dosjen Sazan-Zvërnec, do vijojmë me KAYO-n. Faktet do jenë përballë “zhurmës” dhe të pavërtetave
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re “Flamingo Mirror”, një ndërfaqe online e “Pasqyrë Albania”, e cila synon të ofrojë për qytetarët dokumente zyrtare, të dhëna, referenca ligjore dhe informacion të detajuar mbi çështje dhe projekte me interes publik.
Sipas Ramës, platforma do të shërbejë si një burim publik ku qytetarët mund të konsultojnë drejtpërdrejt dokumentet dhe materialet zyrtare që lidhen me dosje të ndryshme qeveritare. Dosja e parë e publikuar në platformë është ajo që lidhet me Sazan-Zvërnecin (lexo këtu). Sipas tij, qëllimi i platformës është që qytetarët të kenë mundësi të shohin vetë dokumentet, të lexojnë burimet dhe të dallojnë faktet nga pretendimet e tjera që qarkullojnë në hapësirën publike.
Kryeministri bëri të ditur se platforma do të zgjerohet me dosje të tjera që kanë qenë objekt diskutimi publik.
“Do të nis me dosjen më tërheqëse të vendit, sot me dosjen e Sazan-Zvërnecit. Është një burim i cili do t’u shërbejë të gjithëve. Do t’u shërbejë qytetarëve për të parë se çfarë është e shkruar në të gjithë dokumentet zyrtare dhe çfarë thonë materialet e një dosjeje qeveritare.
Në këtë “Pasqyrë të Flamingos” ne do të vendosim vazhdimisht çdo dosje qeveritare, me një vëmendje të posaçme. Jemi duke përgatitur me skuadrën edhe disa tema të tjera dhe shumë shpejt do të vendosim edhe dosjen e KAYO-s, që është përfolur në kanalet sociale dhe hapësirat mediatike. Po ashtu, Milot-Balldreni ka qenë një tjetër temë që është diskutuar mbi trillime dhe gjysmë të vërteta”, tha Rama.
Rama tha se kjo platformë ka si komponent edhe mbledhjen e pyetjeve të qytetarëve në kohë reale dhe publikimi i përgjigjeve zyrtare. Rama tha se platforma do të fokusohet te dokumentet dhe burimet zyrtare, duke përjashtuar, sipas tij, retorikën politike.
“Është një komponent i “Pasqyrës Albania”, që pjesë e saj do të jenë edhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt qeveritar, çdo projekt publik, çdo veprim publik të financuar nga taksat e qytetarëve. Po ashtu, në “Pasqyrën e Flamingos” ka edhe një komponent tjetër, që janë pyetjet e mbledhura në kohë reale dhe përgjigjet zyrtare. Në “Pasqyrën e Flamingos” nuk ka retorikë politike, por vetëm gjuhë faktesh të mbështetura në referenca ligjore dhe dokumente zyrtare. Ky është qëllimi dhe është një pasqyrë në përditësim të vazhdueshëm”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




